Buxheti i komunave për vitin 2024 do të jetë 742.3 milionë euro. Ndonëse u konsiderua më i madhi ndonjëherë nga Qeveria, krerët e komunave po thonë se janë diskriminuar, vetëm se nuk i përkasin partisë në pushtet.
Kryetarët e Prizrenit, Vushtrrisë e Vitisë i thanë Ekonomia Online se buxheti është ndarë në mënyrë jo proporcionale dhe se projektet e dërguara në Qeveri nuk u janë marrë parasysh.
I pari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj u shpreh jo i kënaqur me ndarjen buxhetore për këtë komunë e cila njihet edhe si një prej qyteteve më të mëdha të Kosovës. Sipas tij, kjo ndarje ka treguar një qasje jo profesionale dhe diskriminuese nga ana e Qeverisë.
“Ajo që duhet theksuar është se kemi parë një qasje joprofesionale të Qeverisë dhe kemi parë një diskriminin ndaj komunave të mëdha dhe kemi parë një qasje i ndaj atyre që janë të vogla, atu ku janë kryetarët e partisë së Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi Totaj.
Tutje ai mori shembull edhe komunat tjera të cilat sipas tij, janë pre e diskriminimit. Totaj tha se kanë dërguar në Qeveri shumë projekte e nuk kanë marrë përgjigje pozitive.
“Si Ferizaj, si Gjakova asnjë cent se kanë marrë e kjo mendoj se tregon mungesë morale po ashtu andaj shpresoj që mos të përsëritet. Ne po shohim që kjo është diskriminim për kryeqytetin historik si Prizreni e ky veprim do jetë i mbetur në histori si shembull i keq. Një marrëveshje e kemi nënshkruar me ministrinë e infrastrukturës e cila vlen për tu theksuar është marrëveshja për agjensionin zviceran për ndërtimin teleferik dhe dua të besoj se ajo do realizohet”.
Buxheti i Komunës së Prizrenit për vitin 2024 do jetë 65 milionë e 201 mijë e 979 euro.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se Qeveria i ka favorizuar disa komuna. Tutje ai tha se përmes pesë deputetëve vushtrrias në Parlamentin e Kosovës do synohet që të amandamentohen projekte në vlerë prej 11 milionë euro.
“Tashmë po dihet se disa komuna janë favorizuar shumë e disa pak. Megjithatë unë do shkoj sipas projekteve përmes procedurës së bashkëfinancimit dhe shpresoj se edhe Vushtrria do jetë pjesë e këtyre projekteve”.
“Në vitin e ardhshëm do të bëjmë kërkesë përmes pesë deputetëve që i kemi në parlament, tre nga VV, një nga LDK dhe nga Lista Guxo dhe kemi kërkuar prej tyre që t’i amandetojmë projektet që kapin vlerën 11 milionë euro”, deklaroi i pari i Vushtrrisë.
Ankesa për të njëjtin vendim ka edhe Sokol Haliti, kryetari i Komunës së Vitisë, i cili falënderoi qeverisjen e kaluar për gjendjen aktuale të komunës që drejton. Haliti i tha EO-së, tha se kanë reaguar ndaj ndarjes së këtij buxheti për disa arsye.
Sipas tij, Vitia ka bërë përpjekje që projektet të finalizohen, duke i falënderuar donatorët gjerman, zviceran, amerikan, e fondacionet tjera ndihmuese.
“Ndarja e re buxhetore ka treguar shumëçka, është lënë anash komuna e Vitisë, për të cilën i falënderoi si veprim jo të qeverisë aktuale, por asaj që ka qenë më herët”, deklaroi i pari kësaj komune.
“Ne kemi reaguar institucionalisht sepse Vitia i ka 100 mijë banorë, ajo po ashtu shtrihet në magjistralen Viti-Gjilan- Ferizaj andaj lehtësisht mund të kthehet në një qendër që mund ta zhvilloj rajonin po shpresoj që nuk do të hasim në vesh të shurdhër e jo një komune diku buxhet 58.6% njërës, 82% tjetrës, ndërsa Vitisë 4 euro për kokë banori”, Haliti.
Sipas të dhënave në faqen zyrtare të komunës së Vitisë, buxheti komunal për vitin 2024 pritet të jetë 16 653.191 euro.