Politikiani serb, Nikola Sanduloviq, po raportohet se është rrahur në mënyrë brutale nga BIA serbe dhe sipas avokatit serb, Cedomir Stojkovic, Prokuroria e Nishit e ka arsyetuar arrestimin e Sanduloviq duke shkruar në dokumente se ai ka publikuar një video në platformën “X” ku shihet duke vendosur lule tek varresat e Jasharajve. Raportimet në mediat serbe lidhur me këtë ngjarje janë të rralla, ndërkohë që ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se është tepër i shqetësuar për “sulmin dhe maltretimin e liderit opozitar serb Nikola Sanduloviq nga Sherbimi Sekret i Serbisë”.
Lidhur me gjithë këtë ngjarje në të cilën është i përfshirë politikani serb Sanduloviq, në një bisedë ekskluzive për Gazetën Expresss ka folur diplomati amerikan dhe ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker.
Walker për Gazetën Express ka thënë se është i shokuar nga ajo çfarë ka dëgjuar në lajme për politikanin serb Sanduloviq, duke treguar se e ka takuar atë disa herë dhe se si Sanduloviq i ka treguar për dëshirën e tij dhe platformën e partisë që drejton, për të bërë paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Çfarë dëgjova në lajme jam i shokuar. E kam takuar z. Sanduloviq disa herë, një herë edhe këtu në Amerikë në shtëpinë time. Ai është kryetar i Partisë Repiblikane të Serbisë, dhe kemi biseduar shpesh për situatën në Serbi dhe në Kosovë. Ai gjithmonë më ka shprehur dëshirën e tij dhe partisë së tij që ka provuar të sjell paqe për situatën, në vend të përkëqësimit të saj, që po shihet se është politikë e Aleksander Vucicit”, ka thënë Walker.
Tutje Walker ka thënë se shpreson që presidenti serb, Aleksander Vucic, është duke bërë ndonjë hetim lidhur me atë se çfarë po ndodhë me Sanduloviq, meqë siç shprehet Walker, arrestimi dhe rrahja e kundështarëve politikë ndodhë vetëm në Rusi tek Putini dhe në vende diktatoriale.
“Ai është lider i një partie tjetër politike që s’është në Qeveri, ai është kapur, dhe nga ato çfarë më janë thënë, fotografitë tregojnë se ai është i rrahur keq dhe kjo është e pafalshme”, ka thënë Walker.
Diplomati amerikan tashmë në pension i ka bërë thirrje ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, që të flasë dhe reagojë lidhur me rastin e Sanduloviq, sepse siç thotë Walker, bëhet fjalë për një kryetar të një partie politike, një partie opozitare. Walker ka thënë se dikush duhet të mbajë përgjegjësi dhe të paguaj për atë që i ka ndodhur Sanduloviqit.
“Do të shpresoj që Ambasada Amerikane dhe ambasadori amerikan në Beograd do të flasin për këtë temë. E kutpoj që ai s’ka folur. I bëj thirrje ambasaodrit Hill që të bëjë disa komente rreth kësaj… sepse ai është një figurë politikë, një lider i një partie politike, parti opozitare, por që ta kapësh të rrahësh është, siç thash, e pafalshme dhe dikush duhet të paguaj për këtë krim”, ka thënë diplomati amerikan në pension.
Walker ka thënë se nuk pret që Aleksander Vucic të thotë diçka për rastin e Sanduloviq, sepse edhe pas Masakrës së Reçakut, Walker rikujton se Aleksander Vuçiq ka qenë shumë kritikë ndaj secilit që ka thënë se policia serbe ka bërë diçka gabim, duke mos e llogaritur fare vrasjen e mbi 40 civilëve shqiptarë në Reçak.
Walker ka thënë se nëse Aleksander Vuçiq pretendon se është një politikan serioz demokratik i Serbisë, ai duhet të kryejë një hetim dhe ta vendos para drejtësisë kushdo që e ka qenë autori për rastin e Sanduloviq.
“Ky është një shembull në Beograd ku nën qeverisjen e tij, s’jam i sigurt se kush saktë e ka arrestuar viktimën, por e kanë kapur dhe e kanë rrahur shumë keq. Kjo është e papranueshme dhe Vucic nëse dëshiron të pretendojë se është një lider serioz demokratik i Serbisë, ai sigurisht duhet që të bëjë një hetim dhe ta ndjek kushdo që e ka bërë”, ka thënë Walker.
Duke folur për videon e publikuar teksa Sanduloviq vendos lule tek varrezat e Jasharajve, Walker për Express ka thënë se e kutpon që disa e kanë marrë si provokim, por thotë se nga njohja që ka për Sanduloviq dhe partinë e tij, synimet e politikanit serb, sipas Walker, kanë qenë që t’i bashkojë njerëzit dhe jo që t’i ndajë.
“Unë e kuptoj se ajo është çfarë njerëzit mendojnë se ishte një provokim. Unë e njoh kornizën e partisë si parti republikane, që ata kanë qenë duke provuar që t’i bashkojë njerëzit dhe jo t’i ndajnë”, ka potencuar Walker.
“Kjo aboslutisht s’mund të pranohet në një vend të civilizuar. Dhe Serbia nën Vuçiqin nuk është një vend shumë i civilizuar, është më shumë sikurse Moska e Putinit”, ka shtuar tutje William Walker.
Sa i përket raportimeve të pakta në Serbi për atë që po ndodh me politikanin serb, Nikola Sanduloviq, Walker thotë se kjo tregon që mediat atje janë nën kontrollin e Aleksander Vuçiqit. Walker ka thënë se fakti që po telefonohet nga një media e Kosovës për të marrë komentin e tij, tregon se në Kosovë ka media të lira.
“Kjo tregon që mediat janë nën një kontroll shumë të mirë që të Vuçiqit, ai ka qenë ministër i propagandës gjatë kohës së Reçakut, dhe ai vazhdon që të tregojë gënjeshtra për Reçakun që ai e di që s’janë të vërteta. Dhe në Kosovë ke media të lira. Fakti që ju po më telefononi që të më pyesni për mendimin tim, dhe jam i sigurt që do ta publikoni kështu siç po them.. Ka media të lira në Kosovë dhe jo në Serbi”, ka thënë Walker.
Walker ka thënë se shpreson që Ambasada e SHBA-së në Beograd do të flasë për rastin e Sanduloviq, duke shtuar se po të ishte ambasador në vend të Christopher Hill, do të jepte një deklaratë për një lider politik opozitar që është kapur dhe është rrahur keq.
Walker ka thënë se kjo është e papranueshme për një vend demokratik, dhe potencon se kjo është ajo që po ndodh në Serbi.
“Siç thash, shpresoj që Ambasada amerikane në Beograd do të dalë dhe do të tregojë se çfarë po ndodh me z. Sanduloviq. Nëse do të isha ambassador në Beograd sigurisht që do të dilja të bëja një deklaratë për një lider të një partie politike që është kapur dhe që është rrahur keq. Kjo është thjesht e papranueshme për një shtet demokratik, dhe kjo po ndodh në Serbi”, është shprehur Walker.