Presidenca belge e BE-së: Normalizimi me Serbinë mbetet vendimtar për të ardhmen e Kosovës

Që nga 1 janari, Belgjika e mori kryesimin nga Spanja të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Në një përgjigje për Express, Presidenca belge ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet vendimtar për të ardhmen e Kosovës në BE.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet vendimtar për të ardhmen e Kosovës në BE. Për të bërë përparim në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, në termat afatshkurtër dhe afatgjatë, Kosovës i duhet – njësoj si Serbisë – të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe pozitive në dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja dhe të përmbushë angazhimet e marra në marrëveshjet e kaluara.” – ka deklaruar David Jordens, zëdhënës në Presidencën belge të BE-së.

Tutje, ai ka folur edhe për statusin e kandidatit të Kosovës për BE.

“Gjatë kryesimit të saj të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian, Belgjika do të përpiqet për konsensus midis shteteve anëtare, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e të gjitha vendeve anëtare dhe duke respektuar plotësisht metodologjinë e zgjerimit të BE-së”– shtoi ai.