Dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare.
Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Gjakovë, ku një çift ka përfunduar në Polici, pasi dyshohen se janë përfshirë në një përleshje fizike.
Sinjali mëson se burri i dyshuar është në lidhje jashtëmartesore me të dyshuarën qe një kohë, por së fundmi raportet e tyre janë krisur dhe për pasojë konfliktet mes tyre kanë eskaluar në dhunë fizike.
Sipas informacioneve të para, rasti është denoncuar edhe në Polici dhe si rezultat çifti janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre për atë që ka ndodhur.
Ndaj tyre, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.