Sot bëhen 21 vjet nga vrasja e Tahir Zemajt.
E në 21-vjetorin e vrasjes së tij përmes një postimi në rrjetin social Presidenca e Kosovës, e ka kujtuar Tahir Zemajn në 21-vjetorin e vrasjes.
Më tutje Presidenca u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë për zbardhjen e vrasjes së Tahir Zemajt
Postimi i plotë:
Njëzet e një vjet më parë u vra pabesisht kolonel Tahir Zemaj, së bashku me të birin, Enisin dhe kushëririn, Hasanin. Vrasja e tyre qe njëra ndër ngjarjet më të rënda të pasluftës në Kosovë. Duke e privuar nga jeta veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, ushtarakun profesionist e njeriun që i doli zot atdheut në orën më të ligë të tij, u krye sulm jo vetëm ndaj tij e ndaj një familjeje, por edhe ndaj lirisë së vendit tonë, ndaj idealeve për të cilin kishin sakrifikuar breza të tërë e ndaj së ardhmes së Kosovës.
Beteja e lavdishme e Loxhës, të cilën kolonel Zemaj e udhëhoqi me profesionalizëm e vetëmohim të pashoq, mbetet ndër betejat më të fuqishme kundër ushtrisë serbe.
Në këtë përvjetor, u bëjmë sërish thirrje organeve të drejtësisë që të punojnë intensivisht në zbardhjen e vrasjes së kolonel Zemajt dhe të gjithë bashkëveprimtarëve të tij