Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron.
Takimi i Cameron me Osmanin pason pas atij me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz.
Ministri i Jashtëm britanik, Lord David Cameron, pas takimit me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla Schwarz, tha se Britania e Madhe do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën.
Cameron theksoi po ashtu se Britania e Madhe do të ndihmojë në njohjen e shtetësisë së Kosovës nga shtetet mosnjohëse.
“Faleminderit për të gjitha diskutimet, ne do të vazhdojmë t’ju ndihmojë juve për njohjen nga të gjitha shtetet mosnjohëse. Ne ju mbështesim juve”, tha Cameron.
Gërvalla tha se Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm kur ka pasur qëndrim të qartë dhe kur ka vepruar me vendosmëri.
Në një konferencë për media të enjten në Prishtinë, Gërvalla ka thënë se ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova të jetë pjesë e Perëndimit.
“Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur. Ka qenë i suksesshëm kur ka vepruar me vendosmëri përballë një Moske agresive. Ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova është pjesë e Perëndimit. Mbi 90 për qind e mbështesin Kosovën në integrimet brenda BE-së”, ka thënë Gërvalla gjatë konferencës me ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron.