Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, thotë se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mund të mbahen në pranverë. Sipas tij, të gjitha partitë politike janë bërë gati për zgjedhje dhe se vendi është tashmë në fushatë.
Haradinaj është i gatshëm për të bashkëpunuar me partitë opozitare, siç thotë ai vetëm për ta ndryshuar keqqeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.
Lideri i AAK-së e kritikon Kurtin edhe për çështjen e dialogut me Serbinë, pranimin e draftit të asociacionit dhe mosplotësimin e kërkesave të policisë.
Haradinaj thotë se AAK-ja qëndron dukshëm më mirë sesa në sondazhin e publikuar së fundmi, derisa shton se i njëjti ka qenë i porositur nga partia në pushtet me qëllim të ndikimit në perceptimin e qytetarëve.
“Po hetohet që partitë politike po i ndjejnë zgjedhjet. Në mënyra të ndryshe po mundohen me pozicionuar vetën në mendjen e qytetarëve si opsion…. Nëse flasim për Aleancën, ne asnjëherë nuk jemi mërzitur për këto sondazhet apo rezultatet e porositura. Kësaj radhe nuk mërzitemi pasi e dimë gjendjen që është në vend dhe besimin e qytetarëve në secilin subjekt. (Zgjedhjet) Janë edhe ashtu në kalendar siç e dini ju, duhet mbajtur më së largu në janarit 2025. Kjo i bie se ne edhe ashtu në fund të vitit që vjen do t’i kemi zgjedhjet me kalendar të rregullta, por ato mund të mbahen më herët në pranverë. Kjo që po ndodh është aromë zgjedhje… Të gjithë po bëhen gati për zgjedhje, jemi në fushatë, dihet që kemi hyrë në fushatë, por është e dhimbshme nëse partitë shpenzojnë dhjetëra-mijëra euro me “iu marrë mend” njerëzve, t’iu thuhet se ky është fituesi, ai është fituesi. Kështu ndodhi mashtrimi me zotëri Kurti atëherë”, thotë Haradinaj.
Haradinaj rendit arsyet që sipas tij qytetarët nuk duhet ta votojnë sërish Albin Kurtin. /Kp