Çka duhet të bëjë Kosova në sferën e Sigurisë për tu mbrojtur nga Serbia: Flet ushtaraku nga Shqipëria

Shumë analistë ushtarakë dhe të luftës, kanë hedhur hipotezën se tani për tani bota ndodhet në të njëjtën situatë sikurse ishte në vitet 1930-ta, pra kur lufta e dytë botërore po trokiste në derë në atë kohë.

Shtetet autoritare tani më kanë marrë zemër, dhe po ua mësyjnë shteteve fqinje duke i pushtuar, siç është rasti i agresionit të pa precedent rus mbi Ukrainën, kërcënimi permanent kinez mbi Tajvanin, kërcënimi i Serbisë mbi Kosovën e të tjera, shkruan lajmi.net.

Bota po armatoset më shumë se kurrë, vigjilienca e shteteve është rritur thuajse gjithkund, e krahas kësaj nuk ka mbetur mbrapa as vendi jonë Kosova.

Për situatën e sigurisë në vend, dhe për ruajtjen e sigurisë dhe ushtrimin e sovranitetit territorjal, lajmi.net ka zhvilluar një bisedë me ushtarakun e lartë shqiptar, Artur Meçollari.

Eksperti ushtarak shqiptar e sheh si përparësi prezencën e NATO’së në Kosovë, pasi që sipas tij, kjo i mundëson Forcës së Sigurisë së Kosovës që të zhvillojë edhe më shumë kapacitetet e saja, dhe se çdo zhvillim ushtarak i FSK’së, do të bënte që kundërshtari të mendohej dy herë para se të ia mësynte Kosovës.

“Çdo forcë e armatosur ka si mision kryesor garantimin e integritetit territorial të vendit.  Rasti i Kosovës është i veçantë dhe prezenca e NATO-s në Kosovë, i jep mundësi Forcës së Sigurisë së Kosovës që krahas bashkëpunimit me KFOR të fokusohet edhe në rritjen e kapaciteteve të saj nga sot si një Forcë të Armatosur e së nesërmes.  Rritja e kapaciteteve të FSK dhe transformimi i saj në Forca të Armatosura është garancia për shkurajimin e çdo kundërshtari të mundshëm, veçanërisht Serbisë, e cila synon cënimin e sigurisë në Kosovë, por edhe më gjerë.  Siguria e Kosovës vionë të jetë e rrezikuar dhe NATO është e shqetësuar për këtë”, u shpreh ai.

Meçollari parasheh se me përfundimin e luftës në Ukrainë, dhe me një humbje të Rusisë në këtë luftë, do të përbënte një momentum të mirë për Kosovën sepse do të ndryshonin balancat gjeopolitike në favor të shtetit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar siç është OKB, krahas kësaj ai tha se prezenca e KFOR në Kosovë është një garanci shtesë për të iu kundërpërgjigjur çdo lloj agresioni nga paramilitarë ose nga vet shteti serb.

“KFOR-i është prezent në Kosovë, sot me kapacitete të shtuara për shkak të tentativave serioze të bëra nga paramilitarët me kombësi serbe, të mbështetur nga qeveria e Serbisë.   Përfundimi i luftës në Ukrainë do të ndryshojë ballancat gjeopolitike dhe rolin e Rusisë në mjedisin e sigurisë globale, rrjedhimisht dhe të Serbisë në Ballkan, ndryshime këto në favor të Kosovës.  Një mjedis gjeopolitik i ngjashëm me atë të vitit 1999 do të krijojë kushtet e favorshme për Kosovën në Këshillin e Sigurimit dhe anëtarësimin e saj në OKB”, theksoi ai.

Duke analizuar tutje, kapiteni shqiptar, ndalet te dy raste, kur siguria e Kosovës është kërcënuar seriozisht, vetëm gjatë këtij viti, por ai e sheh me optimizëm se vendi jonë në bashkëpunim me aleatët, do të arrijë ti materizalizojë objektivat e saja.

“Incidenti kufitar i 29 majit, akti terrorist në Bajnskë më 24 shtator 2022, si dhe sjellja e shtetit serb nga këto dy akte, tregon se Serbia, e mbështetur nga Rusia, janë të interesuara për destabilitet në Kosovë.  Kosova do të jetë shpejt anëtare e OKB-së, anëtare e NATO-s, si dhe e shumë organizatave të tjera ndërkombëtare. Por, Kosova ndërkohë duhet të demonstrojë vullnet për dialog dhe kontribut në sigurinë rajonale, si dhe të shmangë me çdo mënyrë provokimet, të cilat mund të destabilizojnë Kosovën, rajonin dhe marrëdhëniett me aleatët e saj”, u shpreh Meçollari.

Duke i përmendur të gjitha këto më lartë, ushtaraku nga Shqipëria tërheqë vërejtjen që FSK nuk duhet kursesi të ndërmarrë hapa të njëanshëm, dhe krahas kësaj, nga viti i ardhshëm të kompletojë personelin e saj.

“FSK nuk duhet të veprojë asnjëherë në mënyrë të njëanëshme, por vetëm në bashkëveprim, koordinim dhe bashkërendim të ngushtë me KFOR, si dy fuqi komplementare për të njëjtin qëllim të përbashkët. Për më tepër, që sot integriteti territorial i Kosovës nuk është i kërcënuar nga askush dhe përdorimi i FSK si agjensi ligjjzbatuese, ka kufizime si nga Rezoluta 1244 edhe nga Kushtetuta e Kosovës.  Transferimi i autoritetit të plotë tek Forcat e saj të Armatosura për garantimin e integritetit të Kosovës do të ndodhë.  Kosova duhet të fokusohet për skenarin më të keq, hapësirën kohore midis anëtarësimit në OKB, e cila mund të shoqërohet me tërheqjen e KFOR-it, deri në anëtarësimin e saj në NATO, pavarësisht se në çdo rrethanë Shqipëria është aty. Për momentin, sipas mendimit tim, për vitin 2024 e në vazhdim, Ministria e Mbrojtjes duhet kete si objektivë kryesorë transformimin e FSK, kompletimi me personel, rritjen e kapaciteteve dhe bashkëpunimin për sigurinë rajonale”, këshillon ai.

Përgaditjet për të ardhmen

Përderisa Kosova po hynë në vitin 16 të bërjes shtet, sfidat e sigurisë në nivel rajonal dhe global acarohen çdo ditë e më shumë, rrjedhimisht kësaj shtrohet nevoja edhe për armatosjen dhe forcimin të mëtejshëm të ushtrisë së Kosovës.

Kapiten Meçollari për këtë çështje, këshillon që të implementohet fillimisht baza ligjore me të cilën është transformuar FSK në Forca të Armatosura.

“Sot për Kosovën prioritet kryesor është kthimi i FSK në një Forcë të Armatosur, kjo sipas afateve të parashikuara nga Parlamenti dhe të miratuara nga aleatët e saj.  Ky proces duhet të shoqërohet me rritjen e numrit të personelit drejt numrit të autorizuar, si për forcat aktive dhe rezerviste, duke respektuar raportet etnike dhe gjinore në këtë forcë”, nënvizoi ai.

Përderisa ushtria jonë është një forcë e vogël dhe e kufizuar ushtarake, njohësi i çështjeve ushtarake tregon fushat ku fillimisht duhet intervenuar, dhe pajisjet dhe armët që duhet të i konsolidojë edhe më shumë ushtria e Kosovës, që do i nevojiteshin edhe për anëtarësim në NATO në të ardhmen.

“FSK, si një forcë e vogël, ka nevojë dhe për kapacitete të plota zbulimi, kapacitet i cili krijon avantazh ndaj kundërshtarit të mundshëm.  Po ashtu, ka nevojë të investojë në sistemet e komandimit dhe kontrollit, mbrojtjes ajrore, kundërtank dhe kibernetike, të shkëmbimit të informacionit, kontribut ndaj popullsisë në rast fatkeqësish natyrore dhe njerëzore, etj.  Nesër Forcat e Armatosura të Kosovës, si anëtarë në NATO, por dhe një forcë e vogël, duhet të jetë e mirëpajisur dhe mirëtrajnuar për të reaguar me shpejtësi, me personel të motivuar për përmbushjen e misionit dhe dhe për të kontribuar në NATO”, tha ai.

Meçollari nuk ndalet me kaq, krahas investimeve në planin e brendshëm, ai thekson edhe nevojën imediate që FSK të bashkëpunojë edhe në nivel rajonal dhe atë europian.

“Rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes është thelbësore për Forcën e ardhshme të Armatosur të Kosovës. Bashkëpunimi për sigurinë rajonale, pse jo dhe evropiane, stërvitje të përhërshme dhe të përbashkëta me shtetet aleate dhe partnere, kontributit në operacionet e NATO-s dhe BE, do të rrisin jo vetëm imazhin e kësaj force dhe Kosovës, por dhe kapacitetet e saj profesionale. Mësimi i gjuhës angleze dhe edukimi në vendet aleate ka një rëndësi të veçantë në këtë përqasje”, këshillon ai.

Një lajm i mirë për bashkëbiseduesin tonë është rritja e buxhetit për FSK konform kërkesave të NATO’së, dhe sipas tij kjo do të ndikojë në përmirësimin e mëtutjeshëm në personelin ushtarak të forcës ushtarake të Kosovës, dhe reagimin e sajë në raste të kërcënimeve.

“Rritja e buxhetit të mbrojtjes në 2% është një lajm i mirë, i cili do të mundësojë rritjen e kapacitetevet e FSK, në sisteme dhe personel.  Një pjesë e buxhetit natyrisht do të shkojë për modernizim, por vëmendje ka nevojë t’i kushtohet mbështetjes së personelit dhe familjeve të tyre.  Ndoshta ka ardhur momenti që në bashkëpunim me KFOR, FSK të realizojë të parin Vlerësim Strategjik të Mbrojtjes, i cili do të orientojë atë drejt objektivave strategjike të arritshëm për një ose disa skenarë kërcënues të mundshëm.  Kjo do të orientojë drejt gjithashtu planifikimin e forcës të së ardhmes.  Po ashtu, një force moderne e armatosur ka nevojë për një bazë të plotë ligjore mbi karrierë ushtarake, e cila ofron mundësi të barabarta për të gjithë, strukturë piramidale të gradave dhe ecuri të vijueshme në gradë, si një proces i papengueshëm dhe i pandërprerë deri në gradat madhore”, thekson kapiteni.

Duke biseduar tutje, ushtaraku shqiptar kujton edhe një moment të mirë të jetës së tij që kishte me pjesëtarët e FSK.

Para 13 viteve kujton ai, kishte trajnuar polumbarët e parë të kërkim shpëtimit të FSK’së, që në atë kohë udhëhiqeshin nga ministri aktual i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.

“Kam patur fatin të trajnoj për herë të parë në viti 2010 në Bazën e Pashalimanit, kur drejtoja këtë bazë, polumbarët e kërkimit dhe shpëtimit të FSK-së.  Në atë kohë kjo strukture drejtohej nga major Maqedonci.  Sot jam i lumtur që shikoj, jo vetëm polumbarët, por e gjithë FSK-ja trajnohen si të barabartë në Shqipëri dhe në shtete të tjera aleate e partnere.  E tillë është sot e gjithë FSK, me ushtarakë të përkushtuar, profesionistë dhe patriotë.  Reagimi i FSK-së në rastin e tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri ishte një shembull se si një force përgatitet, trajnohet dhe reagon. Ajo tregoi gjithashtu se FSK është një force ushtarake tejet e disiplinuar”, kujton ai.

Për fund kapiteni shqiptar pati fjalë të mira për Qeverinë e Kosovës, sidomos me masat e marra në sferën e mbrojtjes, po ashtu fjalë të mira pati edhe për udhëhqësit ushtarak të vendit.

“Lufta kundër korrupsionit nga Qeveria e Kosovës dhe vizioni i drejtimit të sotëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, lejojnë një administrim më të mirë dhe racional të burimeve të mbrojtjes drejt objektivave të qartë dhe të arritshëm.  Buxheti 2024 dhe në vijim ka nevojë të jenë pjesë e një strategjie afatmesme. Për shkak të njohjes profesionale së hershme me Ministrin e Mbrojtjes Z. Ejup Maqedonci dhe Komandantin e FSK generallejtnant Bashkim Jashari, kam bindjen se me eksperiencën, edukimin, përkushtimin dhe patriotizmin e tyre, ata janë të orientuar drejt në zhvillimin e Forcës së Armatosur të Kosovës, si një garante e integritetit territorial, pavarësisë dhe sigurisë së Kosovës, sot dhe nesër”, tha ai.

Artur Meçollari – Kapiten i rangut të parë (L), ish-komandant në detyrë i Forcës Detare

Kapiten i rangut të parë (Ret) Meçollari është diplomuar nga Akademia e Detarisë në Vlorë (1989), Kolegji i Shtabit Detar në SHBA (1998), Kolegji i Shtabit të Përgjithshëm në SHBA (2001) dhe Kolegji i Luftës Detare në SHBA (2003), si dhe Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes në Tiranë (2010). Ai është titulluar oficer në vitin 1989 dhe në 31 vjet ka shërbyer në shumë detyra, si komandant i Grupit Luftarak, oficer shtabi në SHP të FA, pedagog në Akademinë e Detarisë dhe Akademinë e Mbrojtjes, shef i Shtabit të Distriktit Detar, komandant i Flotiljes Detare, drejtor i Inspektimit në MM, zëvendëskomandant dhe komandant në detyrë i Forcës Detare. Ai gjithashtu ka shërbyer për një vit në misionin “NATO Resolute Support Mission” në Kabul, Afganistan. Në vitin 2018, kapiten Meçollari ka qenë anëtar i grupit negociator për kufizimin e hapësirave detare me Greqinë