Policia e Kosovës ka thënë se festa e Vitit të Ri ka kaluar pa incidente serioze.
“Bazuar në raportimet e pranuara nga Drejtoritë Rajonale Policore, nata e vitit të ri, ndërrimi i mot moteve, ka kaluar kryesisht i qetë, nuk është raportuar ndonjë rast apo incident madhor, me pasoja fatale, megjithëse në disa rajone janë raportuar disa incidente me lëndime trupore, dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit pakujdesshëm të mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit.”
Në Prishtinë, një grua është goditur nga një plumb bredhës por është jashtë rrezikut për jetë.
“Mund të veçohet një rast në Prishtinë, i cili në konsultim me prokurorin policia e ka iniciuar si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ku një plumb bredhës ka goditur një qytetare, e cila është dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve është jashtë rreziku për jetë.”
“Policia e Kosovës uron të gjithë qytetarët që ky vit i ri (2024) të jetë vit i mbarë për të gjithë, të jetë vit i vazhdimit të bashkëpunimit dhe transparencës, gëzimit të lirisë dhe të drejtave njerëzore pa dallim, ku qytetarët e të gjitha komuniteteve të jetojnë dhe veprojnë të sigurt, të qetë dhe në harmoni të plotë me njëri tjetrin.”