Haradinaj për Kurtin: Në secilën situatë gjen arsye për t’i nëpërkëmbur vlerat e UÇK-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, vlerëson se po mos të ishin luftëtarët e lirës, veteranët, Kosova nuk do të ishte e lirë, madje se edhe liria nuk është e sigurt nëse nuk vlerësohen e nderohen ata që e bënë atë realitet.

Haradinaj pas vizitës që u bëri përfaqësuesve të kategorive të dala nga lufta për nder të Ditës së Veteranit, shtoi se kjo kategori është keqpërdorur që nga paslufta.

“E kam nderin që të jem në zyrën e organizuar e dal nga lufta. Në Kosovë kanë ndodhur shumë padrejtësi pas luftës, një nga padrejtësitë është edhe lakmia, apo marrja me emrin e veteranit, iu siguroj se nuk do të ishim në liri, do të ishim nën njerëzit e Arkanit, pa veteranët pa ata që kanë luftuar. Edhe liria jonë nuk është e sigurt nëse ne nuk i vlerësojmë dhe nderojmë si duhet vlerat e lirisë”.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po i nëpërkëmb vlerat e luftës, duke i dashur më shumë vlerat e të tjerëve.

Ai tha se Kurti po i poshtëron e fyen edhe policët e ushtarët e po gjen arsye që mos të merret me ta.

“Për fat të keq kemi mbërri në një kohë kur kryetari i Qeverisë është më i dashur me vlerat e të tjerëve se me vlerat e veta, me vlerat e lirisë së vet, me UÇK-në, me ushtrinë e vet me policinë e vet, në secilën situatë ai gjen arsyeje me i poshtëruar, me i nëpërkëmbë, e fyer. Unë besoj që kurrë më të fortë nuk kemi qenë, ata që i duan vlerat e lirisë që e duan atdheun, kurrë më të fortë nuk kemi qenë”./ EO