Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish në lidhje me draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë se drafti nuk është çështje e brendshme e Kosovës kur kjo temë u diskutua në Bruksel.
“Me atë letër duhet të merremi… çka duhet të bëjmë me atë letër. Në dosjen e Brukselit ajo letër është pengesë kapitale. Le ta trajtojnë atë letër se pa u tërheq ajo letër nuk bëhet tërheqja nga zbatimi për marrëveshjen bazike. Më 18 mars unë kam propozu me shku draftstatutin por na u tha jo. E tash përveç letrës së Bernabiqit ka edhe një qëndrim të ri që duhet adresuar që draftstatuti na qenka çështje e brendshme e Kosovës. Atëherë pse e kemi përmendur në tryezën e bisedimeve në Bruksel. Pse e ngritni këtë në Bruksel. S’po e flasim në Bruksel, një temë më pak, po ecim përpara. Unë nuk mundem të bëjë më shumë se sa të nënshkruaj”, ka thënë Kurti.
Ai tha se Prokuroria duhet të veprojë më shpejt në lidhje me rastet në veri, duke shtuar se nuk mund të jap më shumë detaje për sulmin.
“Të shtunën së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme prezantuam detajet, aq sa jemi në dijeni dhe aq sa kemi informata dhe mendoj se për kaq informata nuk mund të japim më shumë detaje, por Prokuroria duhet të bëjë më shumë dhe të ngrisë aktakuza. Unë nuk jam i kënaqur me këto punë që janë bërë”.
“Sa i përket vizitës pak ditë para sulmit në Banjskë të ish-shefit BIA, Aleksandar Vulin nëse ka qenë në veri, unë nuk jam në dijeni dhe nëse dikush di diçka, atëherë t’i prezantojë ato”, tha Kurti.