Berisha: Unë po burgosem në mënyrë të padrejtë

Sot, pritet të arrestohet ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha.

Ai dyshohet për korrupsion.

Berisha në fjalën e tij para mbështetësve të Partisë Demokratike tha se po burgoset në mënyrë të padrejtë.

Ai tha se me masën e sigurisë detyrim paraqitje ndaj tij dhe heqjen e imunitetit është shkelur Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit.

“U shkel Kushtetuta duke u kërkuar heqjen e lirisë për Sali Berishën pa kaluar në kuvend. Gjithashtu u shkel rregullorja e Kuvendit në mënyrën si u votua heqja e imunitetit të tij. Pse u dashka kyçur pa asnjë provë në shtëpi Sali Berisha? Vetëm se i ka kallur bashkë me ju tmerrin monstrës së pluralizimit, Edi Ramës. Pse u dashkan ndaluar komunikimet publike të Sali Berishës? Denoncimet tona i ka si helm se është mëkatar por nuk mund të bëhet fjalë për një grua, për një vajzë të korruptuar në Shqipëri pa cituar thjeshtrën e tij e cila pasurohet ditën dhe natën kur flen dhe kur zbavitet vetëm e vetëm falë njerkut të artë nga i cilin fiton çdo tender dhe asgjëson çdo konkurrent. Nuk mund të mos flitet për një grua të korruptuar kur përmend Linda në një kohë kur fiton me para të donatorëve çdo projekt bashkëpunimi me qeverinë. Të gjitha këto në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën ndaj dhe ata mendojnë se duke më hequr të drejtën e komunikimit do shpëtojnë nga kritikat. Sot duhet të kërkojmë vëmendjen e çdo shqiptari se kur gjykatat nuk garantojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, kjo është diktaturë. Kur logoja e partisë më të madhe opozitare kërkohet t’i jepet një personi që është peng i Edi Ramës çfarë ndodh, kjo është diktaturë”, tha Berisha, shkruan Klan TV transmeton Klankosova.tv

Ish-kryeministri shqiptar, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të reflektojnë, pasi sipas tij, në Shqipëri po përsëritet skenari i Rusisë.

“Shqiptarë zgjohuni sepse po ndodh ajo që ka ndodhur në Rusinë e Putinit. Jo diktaturë si ato të vjetra me kampe përqëndrimi por diktaturë moderne. Kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë. Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre, betejë për vetëekzistencën e Shqipërisë. A do fitojmë ne këtë betejë? Absolutisht po”, theksoi ai.

Kryetari i PD theksoi se opozita duhet të bindë qytetarët për të rrëzuar kryeministrin, Edi Rama.

“Pa u treguar të vërtetën shqiptarëve, pa i bindur ata, nuk mund të rrëzohet Edi Rama. Sepse pa këtë fitore, mashtrimi i tij te shqiptarët do të ishte edhe më i fortë. Sytë e shqiptarëve do të ishin ende të mbyllur. Hymë në zgjedhje duke ditur me bindjen më të plotë se zgjedhje me Edi Ramën nuk ka. Por hymë në zgjedhje për të përgatitur çdo shkjelje të këtij armiku të egër të votës tuaj. U treguam shqiptarëve dhe botës se me Edi Ramën ja ku janë faktet, zgjedhje nuk mund të ketë. Zgjedhjet në Shqipëri nuk janë gjë tjetër si në Beograd, si në Rusi, Bjellorusi, Iran dhe diktaturat e tjera”, shtoi ai.