Kompania për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, KESCO, është deklaruar pas reagimeve që ka pasur për faturat e lëshuara ditët e fundit.
Sipas tyre, vlera është më e lartë me arsyetimin se është rritur edhe konsumi.
“Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrike për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve”, thuhet në njoftim.
“Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike”.
Nga Zyra për Media e KESCO, thonë se disa konsumatorë po marrin fatura më të larta sepse po përdorin masivisht energjinë elektrike për ngrohje.