Kusari-Lila e mohon se u favorizuan komunat e VV-së: Ndoshta ka pasur komunikim më të afërt

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes (LVV), Mimoza Kusari-Lila, ka mohuar akuzat se Qeveria me ndarjen e buxhetit për vitin e ardhshëm i ka favorizuar komunat e udhëhequra nga kjo parti.

Kusari-Lila i tha Ekonomia Online, se nga buxheti prej 3.3 miliardë euro, 21 milionë euro janë ndarë për investime kapitale. Sipas saj, nëse shikohet vlera e projekteve për kokë banori prin Prishtina, Gjakova e Ferizaj, komuna këto që nuk qeverisen nga VV-ja.

Ajo sqaroi se me vend duhet të hyhet në natyrën e projekteve dhe se si kanë përfunduar disa prej këtyre projekteve të reja prej të cilave afërsisht 12-13 milionë janë në katër komunat të cilat udhëhiqen nga VV-ja.

“Buxheti është 3.3 miliardë euro, ndërsa vlera e projekteve të reja 21 milionë prej të cilave gjysma mendohet se është ndarë për katër komunat ose thuhet, të LVV-së që i bie diku 12-13 milionë euro.

“Gjithë ky argumentim nuk e ka peshën e njëjtë në raport me vlerën për të cilën po flasim. Ka shumë projekte të cilat janë në vazhdimësi dhe nëse shikohen vlera e projekteve për kokë banori me komunat do të dalin komunat të cilat udhëhiqen nga partitë e tjera që sot janë në opozitë në nivelin qindore të cilat për kokë banori kanë investime nga Qeveria, aty prin Prishtina, Gjakova, Ferizaj e kështu më radhë”.

“Nuk kemi të bëjmë me trajtimin e mirëfilltë të ndarjes buxhetore, kemi të bëjmë me nuanca të cilat dëshirojnë të jepen për projektet e reja kapitale, për tu bërë një analizë e mirëfilltë dhe për tu bërë kritika me vend duhet të hyhet në natyrën e projekteve dhe se si kanë përfunduar disa prej këtyre projekteve të reja prej të cilave afërsisht 12-13 milionë janë në katër komunat të cilat udhëhiqen nga VV-ja”.