Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka treguar se për çfarë kanë diskutuar sot kryeministri Albin Kurti, me presidenten Vjosa Osmani.
Sipas tij, bëhet fjalë për Ligjin e ri për Zgjedhje të cilin Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka thënë se po mendon ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, raporton Klan Kosova.
Ky diskutim është zhvilluar sot në mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.
“Në fjalën e tij sot në mëngjes, në mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, Kryeministri Albin Kurti, përveç tjerash, tha se 10 ligje të Kuvendit që përbëjnë reforma tejet të rëndësishme në përputhje me ndryshimin e madh demokratik zgjedhor të shkurtit 2021 me slloganin ‘Drejtësi dhe Punësim’, janë të ngujuara, të rrëzuara ose të deformuara te Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.
“Kur pas Kryeministrit e mori fjalën Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ai filloi të përsiatej qysh po mendon ta dërgojë edhe një ligj tjetër në Gjykatën Kushtetuese, kësaj radhe Ligjin e ri për Zgjedhje, që u votua në lexim të dytë në Kuvend sivjet më 8 qershor, u shpall në gazetën zyrtare më 3 korrik dhe hyri në fuqi më 18 korrik 2023. Në atë xhirim shihet Kryeministri Kurti duke i folur Presidentes Osmani për Avokatin e Popullit Qelaj dhe këtë çështje të fjalës së tij”, është shprehur zëdhënësi i Qeverisë.