Sali Berisha do të përballet me drejtësinë pa imunitetin e deputetit. Në më pak se 8 minuta, pa asnjë surprizë, me 75 votat e mazhorancës,
Kuvendi i Shqipërisë miratoi heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit, pas kërkesës së Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) për ashpërsim të masës së sigurisë ndaj tij, nga detyrim paraqitje në “Arrest me burg/shtëpie”, me akuzën për korrupsion pasiv.
Ashtu siç e parashikonte rregullorja, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i dha fjalën Sali Berishës, por ky i fundit refuzoi. Ai kërkoi që të hiqej garda e Republikës nga Foltorja, mirëpo një kërkesë e tillë nuk u mor parasysh, e për pasojë ish-kryeministri zgjodhi të heshtë, raporton A2CNN.
As protesta jashtë parlamentit dhe as kaosi i në seancën plenare, skenar i parë edhe në të kaluarën nga opozita, me karrige pirg në Foltore dhe flakadanë blu, nuk e ndalën mazhorancën që me fuqinë e kartonit t’i hiqnin imunitetin kryetarit të opozitës.
Tashmë, pas këtij vendimi të Kuvendit, SPAK ka rrugë të lirë për t’i bërë kërkesë Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për llojin e masës së sigurisë, nëse do të jetë arrest shtëpie apo arrest me burg.
Berisha akuzohet se ka kryer veprime konkrete, si kryeministër, me miratime ligjesh dhe aktesh nënligjore, nga të cilat përfitoi dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi përmes privatizimit të pronës shtetërore- kompleksi sportiv Partizani. Përgjatë gjithë retorikës së tij, ish-kryeministri ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si politike.