Një kohë pas dorëzimit të draft-statutit për Asociacionin te krerët e institucioneve nga ndërmjetësit, këtë draft BE i dërgoi edhe opozitës kosovare, e cila kërkonte transparencë për këtë dokument.
Pas kësaj, përveç ‘konsultimeve të vazhdueshme’ me Kryeministrin dhe Kryeparlamentarin, Presidentja Osmani tha se duhet të flasë edhe me opozitën dhe kërkoi që të dalin pozitë dhe opozitë me një qëndrim të unifikuar për çështjen më sfiduese për Kosovën aktualisht. Por, nxjerrja e një qëndrimi të përbashkët po del të jetë një mision i pamundur meqë as takimet mes Presidentes dhe opozitës nuk arritën të realizohen.
Në adresimin vjetor në Kuvendin e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani sërish shpalosi pasigurinë mbi kompetencat që do të ketë Asociacioni bazuar në propozimin e ndërmjetësve. Prandaj, ajo tha se fjalën e fundit për këtë duhet ta thotë institucioni kompetent – Gjykata Kushtetuese. Por, për ta çuar draftin në Kushtetuese, presidentja kërkoi unifikim të qëndrimit pozitë-opozitë.
“Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me kushtetutën, dua ta ritheksoj se institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë e profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi e bashkërisht t`i përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese, kurdo që ky draft të dorëzohet në këtë institucion”, bëri thirrje Osmani në Kuvend.
Sipas saj, qëllimi i përbashkët duhet të jetë të sigurohet përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos lejohet një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera, të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë.
“Prandaj, në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që për këtë temë sfiduese, të ndërtojmë qëndrim të unifikuar e në mbrojtje të funksionimit të republikës sonë”, shtoi ajo.
Por, ftesës së presidentes Osmani për takim u përgjigj pozitivisht kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Osmani u tha se e ka e ka njoftuar Abdixhikun për zhvillimet në fushën e sigurisë dhe të politikës së jashtme, si dhe ka diskutuar për temën kryesore – draft-statutin e Asociacionit.
Derisa ishte në përfundim të takimit me Abdixhikun, në Presidencë kishte arritur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Por, takimi me të s’u realizua.
AAK pretendoi se Osmani s’e respektoi orarin që e kishte caktuar vetë ajo për takim me Haradinajn, prandaj ky i fundit s’e kishte pritur.
“Kishim një vullnet të mirë për të biseduar me Presidenten Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit. Kryetari Ramush Haradinaj si dhe Sekretari i Përgjithshëm Muharrem Nitaj ishin në Presidencë në orarin e përcaktuar nga Presidentja Osmani, por fatkeqësisht Presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar”, ka thënë dje për Express zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.
Edhe Zyra e Presidentes dha versionin e vet për mosarritjen për t’u zhvilluar takimi Osmani-Haradinaj.
“Takimi ishte paraparë të mbahet, por për shkaqe protokollare nuk është realizuar. Z.Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar Presidenten për arritjen e tij”, tha për Gazetën Express Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes.
Kësaj deklarate iu përgjigj sërish AAK.
“Nuk ka qenë puna që protokolli do ta njoftonte presidenten për arritjen e zotit Haradinaj në takim dhe që Haradinajt nuk i pritej. Protokolli e ka njoftuar zotin Haradnaj se Presidentja ishte akoma në takim me kryetarin e LDK-së. Ajo vetë e kishte caktuar orën e takimit dhe vetë nuk e kishte respektuar agjendën e vet. Takimi ka qenë i planifikuar për në ora 12:00 dhe është vonuar për disa minuta. Kjo është e vërteta”, tha zëdhënësi i AAK-së dje për Express.
Sidoqoftë, Presidenca tha se dera e saj mbetet e hapur për Haradinajn.
“Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar dhe adresuar çështjet e rëndësisë nacionale”, ka shtuar dje Kupina.
Ndryshe nga dy kolegët opozitarë, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vendosur që kësaj thirrje të Osmanit për takim të mos i përgjigjet fare.
“Me gjithë respektin për presidenten dhe pozicionin që ajo ushtron, nuk kam marrë pjesë në takimin e ftuar dje për arsye se ky ka qenë vetëm një takim konsultativ, i cili nuk jep asnjë efekt real në çështjet për të cilat është menduar se duhet të diskutohet. Padyshim që iu takon liderëve institucionalë që të marrin përgjegjësitë të cilat iu takojnë, por iu takon pak më shumë që vërtetë të krijojnë situata ku edhe inputet tona do të kenë një efekt”, shpjegoi Krasniqi vendimin e tij për të mos shkuar në Presidencë.