Teknikisht Kosova ka bërë hapa thelbësorë për anëtarësim në Këshill të Europës ose, siç thonë zyrtarët e shtetit, rreth 70 përqind të rrugëtimit.
Për ta çuar tutje procesin Këshilli i Europës është duke përgatitur edhe një opinion për anëtarësimin për të cilin në muajin e kaluar “ka mbledhur fakte” në Kosovë Dora Bakoyannis, në cilësinë e raportueses së Asamblesë Parlamentare të KiE. Institucionet e Kosovës besojnë se vitin e ardhshëm mund të ndodhë anëtarësimi, por pengesat politike janë evidente.
Proceduralisht Kosova mund të jetë shumë shpejt afër procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ku kishte aplikuar vitin e kaluar. Kjo do të varet edhe nga ish-kryediplomatje greke Dora Bakoyannis se sa shpejt do ta hartojë raportin si e ngarkuar nga Komisionin për Çështje Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Sipas procedurës, raporti që do ta hartojë Bakoyannis do ta marrë parasysh edhe raportin e publikuar të dy juristëve eminentë të emëruar nga Byroja e Asamblesë me të cilin është vlerësuar përputhja e sistemit ligjor të Kosovës me standardet e Këshillit të Evropës.
Tutje, raporti i raportueses do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare. Më pas, do të duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KiE.
Kosova shpreson që ta ketë anëtarësimin më të shpejtë në këtë organizatë, pasi shumë vendeve që janë anëtarësuar u janë nevojitur shumë më shumë kohë. Sipas praktikës, Komiteti i Ministrave mblidhet një herë në vit.
Diplomatë të vendeve të rëndësishme të akredituar në Kosovë në muajin prill e kishin mirëpritur vendimin e Komitetit Ministror të Këshillit të Europës për t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovë. Por, diplomati gjerman Jorn Rohde e kishte lidhur atë me një proces tjetër.
“Vazhdimi i zbatimit të Ohrit duke përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe është vendimtar për të ecur përpara!”, kishte shkruar ai.
Po ashtu, anëtarësimi në këtë organizatë është ndërlidhur edhe me zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit.
Zbatimi I tij përmendet edhe në raportin e juristëve eminentë ndërsa autoriteteve u kërkohet që të përmbahen nga “përdorimi i forcave speciale policore në veri të Kosovës për të kryer detyrat e zakonshme policore dhe të sigurohet që forcat e tilla të dislokohen vetëm aty ku është e nevojshme dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in”.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, dje foli me bindje se Kosova do të jetë anëtare e Këshillit të Europës. Ajo tha se Kosova është në fazën përfundimtare të anëtarësimit në KiE. Por, Këshilli i Europës për Express tha se në këtë fazë s’mund të komentohet procesi i anëtarësimit për Kosovën.
“Nuk ka asgjë tjetër që ne mund të themi në këtë fazë”, tha Dushan Vojnovic, zëdhënës në KiE.
Për këtë raport ka folur zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, i cili tha se raporti ka konfirmuar se sistemi ligjor i Republikës së Kosovës është në përputhje me standardet e Këshillit të Europës dhe shtoi se “madje se në disa çështje sistemi ligjor i Kosovës tejkalon standardet ndërkombëtare”.
“Ne kemi sistemuar të gjitha përfundimet dhe rekomandimet e dala nga Raporti i Juristëve Eminentë dhe të njëjtat do t’i diskutojmë sot. Kjo është edhe një shenjë që tregon seriozitetin e institucioneve të Kosovës për të shënuar progres të brendshëm dhe për ta përmbyllë sa më parë anëtarësimin në Këshillin e Europës nga ku do të derivojnë të drejta dhe përfitime peë secilin qytetar të Republikës së Kosovës, e veçanërisht për komunitetet pakicë”, ka thënë ai në hapjen punimeve të takimit të dytë të Grupit Koordinues bashkë me nënkryetaren, Saranda Bogujevci.
Kjo e fundit tha se në Asamblenë Parlamentare të KiE dominon një atmosferë mjaft pozitive ndaj këtij procesi dhe tani Kosova është pothuajse në fazën përfundimtare të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Si udhëheqëse e delegacionit të Kosovës qysh nga takimet që kemi pasur në qershor të vitit 2021 ka pasur një qasje shumë pozitive sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka thënë nënkryetarja Bogujevci, duke theksuar se Kosova ka dëshmuar se qëndron më mirë se edhe vetë disa shtete që janë shtete anëtare të Këshillit të Evropës.
“Nuk ka asnjë dilemë që Kosova medoemos duhet të jetë pjesë e Këshillit të Evropës. Na ka mbetur pjesa përfundimtare dhe kemi ende shumë punë. Jemi në rrugën e mirë. Kemi me të vërtetë përkrahje të madhe që ta përmbyllim këtë proces”, tha Bogujevci.
Në mes të majit të vitit të kaluar, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Europës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.