Fitorja e Vuçiqit: Si mund të ndikojnë rezultatet e zgjedhjeve në Serbi në dialogun në Bruksel?

Më 17 dhjetor në Serbinë u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe në disa komuna, përfshirë Beogradin.

Në vend të parë, aspak befasishëm, u rëndit partia e dikurshme Aleksandar Vuçiqit, pra Partia Përparimtare Serbe. Por cilat mund të jenë ndikimet e zgjedhjeve në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian?

Daniel Serëer, profesor i njohur amerikan, ka vlerësuar se sinjalet nga këto zgjedhje nuk janë të mira. Në një prononcim për Radio Evropën e Lirë (REL), profesori veteran theksoi se nuk sheh ndonjë shenjë që Vuçiqi do të ndryshojë në mënyrë serioze qëndrimin e tij kundrejt Kosovës.

“Nuk shoh asnjë shenjë se Vuçiq është gati për një ndryshim serioz sa u përket marrëdhënieve me Kosovën. Përkundrazi, ai është nisur në drejtim të kundërt. Ai sërish bën thirrje për vendosjen e sovranitetit të Serbisë. Ai e kundërshton rëndësinë e marrëveshjeve të marsit dhe shkurtit [Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit për zbatimin e saj], të cilat SHBA-ja dhe BE-ja thonë se janë ligjërisht të detyrueshme” – deklaroi ai për REL-in.

“Është e vërtetë se Brukseli po ua shton dispozitat e atyre marrëveshjeve kushteve për hyrjen e Serbisë në BE, por Vuçiq nuk është serioz sa i përket anëtarësimit në BE. Kështu që nuk do të ndryshojë shumë. Mendoj se ky [rezultati] nuk është një shenjë e mirë për marrëdhëniet me Kosovën.” – shtoi ai.

Edhe profesori veteran kosovar, Milazim Krasniqi, i komentoi rezultatet e zgjedhjeve në Serbi. Në një shkrim relativisht të gjatë, Krasniqi ka vlerësuar se Serbia mbetet një “shtet jodemokratike, me një lider populist e autoritar”. Sipas Krasniqit, Serbia do të vazhdojë të qëndrojë në tri karrike.

“Me fuqinë e re që ka marrë, Vuçiqi me këtë fitore absolute, në raport me Kosovën ka hapësirë të madhe manovruese. Nuk pritet që ta përdorë më terrorizmin, sepse e ka konsumuar në maksimum përfitimin elektoral prej sulmit terrorist në Banjskë. Me atë sulm e largoi temën e Kosovës nga fushata zgjedhore, risiguroi edhe përkrahjen e serbëve të Kosovës. Tash pritet të fokusohet te zbatimi i Planit Franko-Gjerman, por me autonominë e serbëve të Kosovës brenda marrëveshjes.” – shkroi ai.

Tutje, në shkrimin e tij, Krasniqi ka paralajmëruar se pozita e Kosovës përballë Serbisë mund të dobësohet.

“Pozita e Kosovës përballë Serbisë mund të dobësohet edhe më shumë në dialog, nëse vazhdon ky format i dialogut dhe nëse imponohet definitivisht DraftStatuti që është publikuar. Në atë rast Kurtit i mbeten dy mundësi: ta pranojë autonominë e serbëve, duke e gjymtuar shtetin, ose të provojë ta shtyjë zbatimin, duke provokuar zgjedhje të parakohshme parlamentare në Kosovë.”– shkroi tutje Krasniqi.

Ndërsa Veton Surroi, opinionist i njohur, i shpjegoi rezultatet e zgjedhjeve përmes një metafore.

“Koalicioni Serbia kundër dhunës ka marrë 23.6% të votave. Nëse do të ishte një metaforë, do të përshkruante një vend me shumicë që ende jeton (dhe voton) kryesisht në një kulturë lufte dhe dhune. Një metaforë për të kuptuar thelbin e stagnimit të Ballkanit Perëndimor.” – shkroi Surroi.

Sjellim ndërmend që Partia Përparimtare Serbe, që udhëhiqej deri vonë nga Vuçiqi, i ftoi zgjedhjet, ndërsa lista opozitare “Serbia kundër dhunës” kërkoi anulimin e zgjedhjeve në Beograd, pasi pretendoi për shumë parregullsi.

Ndryshe, shqiptarët kanë arritur të fitojnë një ulëse në Kuvendin e Serbisë, pasi Shaip Kamberi i fitoi votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.