Ambasada e Austrisë në Prishtinë ka bërë të ditur se është ndaluar transportimi i mishit të derrit ose produkteve të sallamit nga vendet joanëtare të BE-së në udhëtime private.
E ky vendim ka ardhur pas shpërthimit të Murtajës Afrikane të Derrave.
Kontrolle specifike lidhur me murtajën afrikane të derrave Ambasada thotë se do të ketë në vendet si Kosova, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Murtaja afrikane e derrave (MAD) vazhdon të përhapet në Evropë dhe paraqet një rrezik të madh për bujqësinë vendase dhe popullatat e derrit të egër. Aktualisht MAD-i është shumë aktiv në disa vende të Ballkanit. “Për të parandaluar futjen e kësaj sëmundjeje shumë ngjitëse të kafshëve në Austri, do të ketë një kontrollim të shtuar të trafikut të udhëtimeve gjatë javëve të ardhshme”. Kështu paralajmëron ministri për financa Magnus Brunner, i cili bashkë me Doganën austriake, Ministrinë për çështje sociale, shëndet, kujdes dhe mbrojtjen e konsumatorit, Entin federal për shëndetit e konsumatorit dhe Agjensionit për shëndet dhe siguri ushqimore, do të ndërmarrin aksione specifike kontrolli gjatë Krishtlindjeve. Qëllimi është “të krijohet ndërgjegjësimi, veçanërisht tek udhëtarët, se marrja e mishit nga vendet joanëtare të BE-së është e ndaluar dhe kontrollohet nga doganat”, thotë Brunneri.
Futja e virusit në Austri do të kishte pasoja të rënda për kafshët dhe bizneset
Derrat e egër dhe njerëzit janë bartësit kryesorë të infeksionit me virus, i cili në të shumtën e rasteve është fatal për derrat e infektuar shtëpiak dhe derrat e egër. Virusi nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut. Megjithatë, statusi i Austrisë si vend “pa MAD” është i rëndësishëm, sepse statusi i lartë shëndetësor i kompanive vendase siguron eksportin e kafshëve të shëndetshme dhe produkteve shtazore, prandaj edhe është një faktor i rëndësishëm ekonomik. Për këtë arsye është e rëndësishme që të merren masa për të parandaluar futjen e MAD-it në Austri. Kjo kryesisht shkon në të mirë të pronarëve të kafshëve të cilët do të prekeshin veçanërisht nga përhapja e sëmundjes në Austri dhe do të duhej të përballeshin me dëme të mëdha ekonomike.
Produktet e mishit të derrit ose sallame të prodhuara privatisht nga vendet joanëtare të BE-së janë të ndaluara
MAD-i është aktualisht shumë aktiv, veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë. Meqë jemi në prag të festave të fundvitit dhe shumë udhëtime do të realizohen nga vendet e lartpërmendura, theksojmë shprehimisht rrezikun e futjes së virusit në Austri përmes mishit të derrit ose produkteve tjera nga mishi i derrit, të sjella me vete. Ndalohet marrja me vete e produkteve të tilla (përfshirë: mishin e tharë, produktet e sallamit, produkte tjera të mishit, etj.) nga vendet jo anëtare të BE-së. Nga shtetet anëtare të BE-së, mund të sillen sasi për përdorim shtëpiak, me kusht që prodhuesi t’i është nënshtruar inspektimit të duhur institucional e veterinar në vendin e origjinës, gjë që supozohet në çdo rast për produktet që shiten në baza të rregullta (p.sh. mallrat e supermarketeve).
Megjithatë, mishi ose produkte tjera të mishit të derrit, veçanërisht ato nga prodhimi privat, që nuk i janë nënshtruar kontrolleve zyrtare, përbëjnë një rrezik të madh për popullatën e kafshëve austriake, sepse këto produkte mund të përmbajnë virusin MAD. Nëse këto hahen nga kafshët shtëpiake (depozitimi i gabuar, ushqyerja), shkaktohet një infeksion që mund të përhapet shpejt nëpër popullatën e derrave dhe të ketë pasoja të rënda për kafshët e egra dhe bizneset bujqësore.
Ushqyerja e derrave shtëpiak dhe të egër me mbetje ushqimore është e ndaluar në Austri
“Murtaja afrikane e derrave nuk është paraqitur ende në Austri. Megjithatë, për shkak të rasteve të shumta në Evropën Jugore, rreziku i futjes së virusit është shumë i lartë”, thekson ministri i shëndetësisë Johannes Rauch. Për të identifikuar në fazë të hershme shpërthimet e sëmundjes tek popullata e derrave të egër, ai gjithashtu apelon te qytetarët: çdokush që has në derra të egër të ngordhur dhe të dyshuar si të sëmurë, në gjithë Austrinë, janë ligjërisht të obliguar të raportojnë gjetjet tek autoritetet veterinare. Ju lutemi të jepni një kontribut të rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit të kafshëve lokale vendore dhe mos sillni ushqime me mish derri shtëpiak apo derrash të egër, që janë therur në kushte shtëpiake. Mbetjet e mishit dhe salsiçeve hidhini vetëm në kontejnerë të qëndrueshëm mbeturinash dhe të mbyllur; sipas mundësive shmangni çdo kontakt me derrat shtëpiak dhe derrat e egër në vendet e prekura nga virusi.
Aksioni i koordinuar i kontrollit dhe inspektimit nga Dogana, Ministria e shëndetësisë, Agjensionit federal për shëndetin e konsumatorit dhe Agjensionit për shëndet dhe siguri ushqimore, është një prej shumë masave për të parandaluar futjen e Murtajës Afrikane të Derrave në Austri. Udhëtarët ndërgjegjësohen më shumë për faktin se ata vetë janë transportues të mundshëm dhe mallrat e importuara ilegalisht do të konfiskohen. Sa më herët të identifikohet një shpërthim, aq më shpejt mund të frenohet.