Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar dhe do të refuzojë “takimet konsultative” me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të paralajmëruara nga kjo e fundit për të ndarë shqetësimet dhe brengat rreth draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe që Kosova ka pranuar në fund të tetorit; draft ky që ka lënë të shqetësuar shumëkënd e që përkthehet në një autonomi të plotë politike dhe territoriale për komunat të populluara me shumicë serbe.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e konfirmoi që nuk do të merr pjesë në takimet e kësaj natyre në një intervistë për Nacionalen; dhe atë mu në kohën kur Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, zhvilloi takim konsultativ me Vjosa Osmanin në lidhje me temën e njëjtë.
Krasniqi i tha Nacionales se takime të tilla janë “courtesy” dhe nuk prodhojnë asgjë. Rrjedhimisht, tha ai, edhe refuzimi i PDK-së.
“Takimin për të diskutuar, siç thuhet në ftesë: ‘për zhvillimet aktuale, taim konsultativ’ dhe ku mund të flitet edhe për propozimet që lidhen me dialogun nuk kam shkuar jo për arsye të tjera por për faktin që asgjë nuk del dhe as nuk prodhohet gjë nga një takim i tillë. Është kryeministri i Kosovës ai që e ka prerogativën kushtetuese dhe përgjegjësinë ligjore që ta lëvizë përpara për sa i përket procesit të dialogut duke përfshirë edhe Asociacionin; kjo nënkupton pranimin por edhe refuzimin, apo propozimin alternativ. I takon kryeministrit”, tha Krasniqi.
“Pra, takimet që mund t’i mbajmë e që quhen konsultative janë veç takime të analizave. Unë nuk mund të lëshohem në rolin e një analisti për t’u takuar bashkë me presidenten për të dhënë mendime të caktuara të cilat nuk prodhojnë asgjë, sepse prej këtij takimi përtej një kortezie dhe një diskutim itë hapur që mund ta kishim, nuk do të kishte efekt ligjor e as politik, asgjë. Kjo është arsyeja që thjesht nuk kam menduar që duhet të shkojmë. Përtej kësaj PDK në korrik ka marrë vendim që ne jemi të hapur për takime ku diskutohet për zgjedhje të reja”, na tha kreu i PDK-së.
Ndryshe nga Krasniqi ka vepruar Lumir Abdixhiju, i cili përveç Osmanit, është takuar madje edhe me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ku mes rreshtash, lë të kuptojë që do t’i qëndrojë kërkesës amerikane rreth draft-Statutit, me ç’rast tha se “LDK do të ruajë relacionet me ShBA-në në çdo veprin”; gjë që lexim si miratim implicit i saj.
Presidenca e Kosovës përmes një komunikate për media njoftoi se Osmani me Abdixhiku e patën temë diskutimi draft-Statutit, draft ky i cili nga Abdixhiku është quajtur “autonomi në evoluim” dhe “në potencial federalizim”.
“Presidentja Osmani me z.Abdixhiku ka diskutuar për Drafstatutin e Asociacionit dhe në këtë kontekst, ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
“Z.Abdixhiku e ka njoftuar Presidenten lidhur me shqetësimet e LDK-së sa i përket përmbajtjes së Draftstatutit dhe janë diskutuar mundësitë për trajtimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë që mos të lejohen dykuptimësi që mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej.
Në adresimin vjetor në Kuvend të Kosovës, Presidentja e Kosovës – fjalim ky që u bojkotua nga PDK dhe AAK – ka kërkuar unitet kombëtar në lidhje me zgjidhjen e çështjes së Asociacionit dhe draft-Statutit të ofruar nga bashkësia ndërkombëtare, teksa njoftonte edhe se do të ftojë partitë opozitare në vend për të marrë vërejtjet dhe shqetësimet e tyre në lidhje me këtë draft.
“Kosovës i është dorëzuar një propozim, draft-statut për një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se drafti i tillë është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dua të ritheksoj se institucioni që do të duhej ta bëj këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga primi i pavarësisë dhe profesionalizimit, është Gjykata Kushtetuese. Është me rëndesi që të gjithë ne, pa dallime partiak të ulemi dhe bashkarish të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësime që mund t`i kemi dhe ti dërgojmë ato në Gjykatë Kushtetuese kurdo që ky draft të dorëzohet para këtij institucioni”, pati thënë Osmani.