Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.
Zyra e Presidentes përmes një komunikate ka bërë të ditur se në takim Osmani e ka njoftuar Abdixhikun për zhvillimet në fushën e sigurisë dhe të politikës së jashtme.
Bëhet e ditur se ata gjithashtu kanë diskutuar edhe për draft-statutin e Asociacionit, përcjell Klankosova.tv.
“Presidentja Osmani me z.Abdixhiku ka diskutuar për Drafstatutin e Asociacionit dhe në këtë kontekst, ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit”.
“Abdixhiku e ka njoftuar Presidenten lidhur me shqetësimet e LDK-së sa i përket përmbajtjes së Draftstatutit dhe janë diskutuar mundësitë për trajtimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë që mos të lejohen dykuptimësi që mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës. Ftesa për takim u janë dërguar edhe subjekteve të tjera opozitare. Institucioni i Presidencës është vazhdimisht i hapur për koordinim me parti dhe institucione për çështje të rëndësisë nacionale”, thuhet tutje në komunikatë.