Deputeti i vetëm shqiptar në mandatin e kaluar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se beson që do të ketë vota të mjaftushme për një mandat.
Ai ka thënë se as Kosova as Shqipëria nuk kanë faj që shqiptarët në Luginë po garojnë me dy lista.
“Të shohim ndoshta moti i ftohtë, dimri, dita e shkurtër çfarë ndikimi mund të ketë. Megjithatë, unë besoj që ne do të arrijmë të kalojmë censusin e nevojshëm për të pasur një mandat….Sot është koha e zgjedhjeve, sot është koha për të motivuar njerëzit, për të mos kërkuar fajtorin. Gjithë ata që marrin pjesë duhet të bindin elektoratin e vet për rëndësinë e pjesëmarrjes dhe t’i ftojë ata të dalin. As Kosova dhe as Shqipëria nuk mund të ketë faj, se edhe Kosova edhe Shqipëria kanë bërë përpjekje, në radhë të parë Kosova që ka nisur këtë proces, për të unifikuar një listë, nuk është arritur dhe tash nuk kemi kohë të vajtojmë sot”, shtoi Kamberi, raporton Kosova Press.
Ai u shpreh optimist se do të arrijë të fitojë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë.
“Në politikë nuk ka vend për pesimizëm, ose duhet ta lësh profesionin. Prandaj edhe vet pjesëmarrja jonë në listën e përbashkët të pesë partive është optimiste”, përfundoi ai.