Njërin vëlla polic, tjetrin avokat: E goditi me veturë familjari, detaje të reja për njërin nga viktimat e tragjedisë në autostradë

Nata e kaluar ishte e kobshme për tre persona. Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj, dyshohet të kenë qenë duke përcjellë një garë mes veturash në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Njëra nga veturat e ka humbur kontrollin dhe ka goditur shikuesit, ku humbën jetën Syla, Delija dhe Bibaj.

Nacionale ka mësuar se shoferi i veturës i cili është arrestuar, është familjar tejet i afërt i tashmë të ndjerit Lordi Syla.

No photo description available.

I ndjeri sipas informatave jozyrtare, kishte shkuar për ta përcjellur garën mes familjarit të tij dhe shoferit të një veture tjetër.

Gazeta Nacionale nga burimet e veta ka mësuar gjithashtu se viktima Lordi Syla, është vëlla i avokatit të njohur, Leutrim Syla. Leutrimi është avokat me emër, dhe merr pjesë në konferenca e emisione të ndryshme televizive lidhur me sistemin e drejtësisë.

Kurse, vëllai tjetër i Lordit, është Ali Syla, polic i Kosovës. Kjo mund të shihet edhe nëpër fotografi të ndryshme në rrjete sociale. Edhe polici Syla është gjithashtu figurë e njohur për punën e tij në Policinë e Kosovës.

Babai i Lordit, Muhamet Syla, ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Muhameti ditën e sotme ka bërë edhe një postim në rrjete sociale.

“Ma kpute zemren bab, ishallah Allahu ne xhehnet”, ka shkruar ai.

Policia e Kosovës ka konfirmuar aksidentin me tre të vdekur në Autostradën “Ibrahim Rugova”.

Sipas policisë, shoferi i veturës dyshohet se ka humbur kontrollin mbi veturën dhe për pasojë ka goditur tre persona meshkuj kosovar-këmbësorë.

Në këtë aksident, tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime.

I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITE – Autostrada-Ibrahim Rugova, (km-15) 16.12.2023-22:45. Gjatë ngasjes në autostradë i dyshuari kosovar dyshohet se ka humbur kontrollin mbi veturën dhe për pasojë ka goditur tre persona meshkuj kosovar-këmbësorë. Si pasojë, tre personat e goditur kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit dhe me vendimin e tij (tre) trupat e pajetë pasi është konstatuar vdekja e tyre nga ekipi mjekësor, janë dërguar në IML për obduksion. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me këtë aksident janë duke u kryer nga njësitet relevante policore.” – thuhet në raportin 24 orësh të PK-së.

Për ngjarjen, institucionet e drejtësisë e të sigurisë po vazhdojnë hetimet.