Tre persona janë arrestuar në Prishtinë nga njësiti i antidrogës i policisë, në dy operacione.
Fillimisht, organet e rendit kanë pranuar informacione, se i dyshuari (mashkull, kosovar) L.H, është duke u marr me aktivitete të kundërligjshme/shitblerje të substancave narkotike të llojeve të ndryshme, kryesisht në qytetin e Prishtinës.
“Pas një pune hetimore dhe operative gati njëmujore në teren, antidroga, dje më datë 16.12.2023, rreth orës 20:00, ka realizuar një plan taktik policor, me ç’rast është ndaluar dhe arrestuar i dyshuari i lartcekur me iniciale dhe gjatë operacionit të bastisjeve në trup dhe lokacionet e të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar sasi e konsiderueshme e substancave të ndryshme narkotike si: kokainë, ekstazi, hashash, marihuanë, disa qese plastike, para të gatshme, dhe pajisje tjera”, thuhet në njoftimin e policisë.
“I dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje, përderisa njësitet kompetente dhe ato të forenzikës rajonale në Prishtinë kanë kryer proceduarat e vend shikimit, fotografimin dhe evidentimin e provave materiale për procedurë të mëtejme hetimore”.
“Gjithashtu me 16.12.2023, rreth orës 21:30, Policia e Kosovës përmes veprimeve operacionale taktike ka identifikuar dhe arrestuar edhe dy persona të tjerë nën dyshimin për “posedim dhe shitje të pa autorizuar të narkotikëve” është konfiskuar një sasi e drogës, dy peshore digjitale, dhe një çantë me qindra lloje të ndryshme për paketim të narkotikëve, ndërsa të dyshuarit janë derguar në mbajtje me urdhër të prokurorit”, thuhet tutje në njoftimin e PK-së