Fëmijët që po trajtohen në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë suprizuar me disa dhurata nga alpinistët e Klubit Alpin Prishtina (KAP).
KAP së bashku me “Care for Kosovo Kids” organizuan ngjarjen “Superheronjtë”, ku alpinistët u lëshuan me litarë nëpër ballkonet dhe dritaret e Pediatrisë duke shpërndarë dhurata për pacientët.
Aktivitet ky që po organizohet tash e katër vite ka për qëllim rritjen e fondeve për shërimin e fëmijëve që janë diagnostikuar me kancer.
Menaxherja për aktivitete në “Care for Kosovo Kids”, Mrika Karaçi tha se ky aktivitet ka për qëllim ngritjen e fondeve dhe vetëdijesimit për fëmijët me kancer që gjenden në Klinikën e Hematoonkologjisë Pedriatike në QKUK.
“Aktiviteti ‘Superheronjtë në Pediatri’ është viti i katërt që po organizohet nga organizata ‘Care for Kids’ së bashku me klubin ‘Alpin Prishtina’, dhe gjithashtu përkrahësin kryesor që është Banka Ekonimike. Është një aktivitet që për qëllim kryesor ka ngritjen e fondeve dhe vetëdijesimit për fëmijët të cilët janë të diagnostikuar me kancer e që gjenden në klinikën e Hematoonkologjisë Pediatrike në QKUK”, tha Karaçi.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Bankës Ekonomikë të Kosovës, Shpend Luzha tha se buzëqeshja e fëmijëve është shtyrje dhe motiv për të mbështetur aktivitete të tilla.
Ai shtoi se me kënaqësi kanë dhënë donacionin dhe dhuratat për këtë klinikë.
“Buzëqeshjet e këtyre fëmijëve rreth neve janë shtyrje dhe motiv që të mbështesim eventet e tilla…Si Bankë Ekonomike kemi kënaqësinë të bëjmë një donacion dhe dhuratë rreth klinikës dhe organizimit. Falënderim i veçantë shkon për stafin mjekësor që janë prezent këtu në baza ditore që përballohen me sfidat e këtyre familjeve dhe fëmijëve”, theksoi Luzha.
Ndërsa, drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi tha se është rritur lista esenciale për trajtimin e fëmijëve.
Lidhur me organizimin, Azizi tha se janë të mirëseardhura, meqë sipas tij përveç trajtimit shëndetësorë, fëmijët kanë nevojë edhe për trajtim shpirtëror.
“Qendra Klinike Universitare dhe ShSKUK nga aspekti profesional i kryejnë punët e tyre dhe ne kemi rritur listën esenciale këtë vit për t’i trajtuar pacientët në fjalë. Gjithashtu i rrimë gati furnizimit me rregull sa i takon pacientëve… Aktivitete të tilla sikur ky janë shumë të mirëseardhura për arsye se përveç aspektit shëndetësor apo trajtimit shëndetësor është edhe ky trajtimi shpirtëror apo këto aktivitete argëtuese që ndikojnë shumë në trajtimin dhe shërimin e tyre”, tha Azizi./KosovaPress