Presidentja Vjosa Osmani është takuar me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, në kuadër të Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Bruksel.
Osmani ka thënë se në këtë takim ka potencuar rolin e rëndësishëm të Italisë në përkrahjen e Kosovës në të gjitha etapat.
“Llogarisim në lidershipin e Kryeministres Meloni në avancimin e rrugës së shtetit tonë drejt integrimit evropian. ”, ka shkruar Osmani.
Për këtë takim ka njoftuar edhe kryeministria e Italisë, ku është bërë me dije se në takim është diskutuar për dialogun.
“Takimi ofroi mundësinë për të bërë një pasqyrë të dialogut Prishtinë-Beograd të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftim.
Italia, sipas njoftimit, ka kërkuar nga dy palët që të punojnë për de-eskalim me synim të mundësimit të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.