Reagon djali i Haxhi Shalës: Sot u informuam për transferimin e tij në Hagë, por nuk e dimë arsyen – jemi të bindur për pafajësinë e tij

Djali i Haxhi Shalës, Flakroni ka reaguar për arrestimin e babait të tij nga Gjykata Speciale.

Në një njoftim të bërë në Facebook, Flakroni thotë se ka marrë informacione se babai i tij është transferuar sot në Hagë.

Tutje ai thotë se familja janë të bindur në pafajësinë e tij, pasi sipas tyre gjykata është e njëanshme.

“Përshëndetje të gjithëve. Prej ditës së djeshme dhe sot kemi marrë shumë telefonata për gjendjen e babit nga media dhe nga miqtë e babit. Kërkoj falje që nuk e hapa telefonin pasi ne si familje kemi qenë në një situatë që nuk kishim asnjë informacion që nga intervista e prindërit. Sot kemi marrë informacione për transferimin e tij në Hagë me urdhër të prokurorit, e ne si familje ende nuk kemi informacion për arrestimin apo ndalimin,e as arsyet se pse ai po transferohet në Hagë. Ne jemi të bindur për pafajësinë e tij dhe të të gjithë çlirimtarëve që janë në atë gjykatë, sepse kjo gjykatë është e njëanshme sepse gjykon çlirimtarët që mbrojten vendin dhe të drejtat e tyre për liri. Me respekt, Familja Shala”, ka shkruar djali i Haxhi Shalës në Facebook.