Qeveria e Kosovës ka favorizuar komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, sa i përket investimeve kapitale nga niveli qendror në komuna në vitin 2024, sipas një analize të Institutit GAP. Gjilani, Shtimja, Kamenica e Podujeva, janë në krye të listës sa i përket vlerës së investimeve të reja kapitale, raporton Express.
“Këtë vit, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror të destinuara për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro. Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë”, theksohet në këtë analizë.
Për Komunën e Gjilanit, që udhëhiqet nga Alban Hyseni, janë paraparë investime kapitale në vlerë 6 milionë e 300 mijë euro, apo 85.69 euro për kokë banori. Pas Gjilanit, renditet Shtimja, e udhëhequr nga Qemajl Aliu, me 2 milionë e 753 mijë e 333 euro, apo 102 euro për kokë banori.
E treta në renditje është Prishtina. Për kryeqytetin janë paraparë investime të reja kapitale në vlerë prej 2 milionë e 300 mijë euro, apo 10.50 euro për kokë banori.
Menjëherë pas Prishtinës, renditet sërish një komunë e udhëqur nga Vetëvendosja. Për Kamenicën, që drejtohet nga Kadri Rahimaj, janë paraparë investime të reja kapitale në vlerë prej 2.1 milionë euro, apo 80.26 euro për kokë banori.
Kamenica pasohet nga një komunë tjetër e udhëhequr nga VV’ja. Për Komunën e Podujevës, në krye me Shpejtim Bulliqin, janë planifikuar investime kapitale në vlerë 1 milion e 855 mijë euro, apo 23.04 euro për kokë banori.
Më pas renditen Rahoveci, Peja, Prizreni, Lipjani, Novëbërda, Deçani, Vushtrria e Obiliqi. Ndërkohë, katër komunat që janë lënë në fund të listës janë Vitia, Drenasi, Mamusha dhe Suhareka. Për Suharekën janë paraparë investime kapitale në vlerë 100 mijë euro, apo 1 euro e 77 centë për kokë banori.
“Nëse analizohen këto investime për kokë banori, del se Komuna e Shtimes mban vlerën më të lartë, me 102.15 euro investime për kokë banori. Dy komuna të tjera me vlera të larta janë ajo e Gjilanit dhe e Kamenicës, me 85.69 dhe 80.26 euro investime për kokë banori”, thuhet tutje në analizë.
Çështja e shpërndarjes së pabarabartë të fondeve për investime kapitale nga ministritë në komuna gjithashtu është përmendur edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, theksohet tutje në analizë.