Kryetari i OVL-UÇK’së në Malishevë, Metush Kryeziu, në një përgjigje për Gazetën Express, tha se ka informacione që Specialja ka kryer bastisje në pronat e ish deputetit Haxhi Shala, i njohur edhe si komandant Topi.
Ai tha se Shala është marrë në intervistim, ndërsa shtoi se nuk ka informacione që ai është arrestuar.
“Kemi informacione se janë bastis pronat e tij dhe është marrë në intervistim. Tjetër nuk di”, tha Kryeziu.
Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se janë duke zhvilluar operacione.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të tjera”, thuhet në përgjigjen e ZPS’së për Express.
Pak më parë, Flakron Shala, djali i Haxhi Shalës ka hyrë në zyret e EULEX’it në Fushë Kosovë.
Kujtojmë se në gusht të vitit 2020, Shala ishte ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit, e në tetor ishte intervistuar.