Pavarësisht mosnjohjes së Kosovës, Bosnja mund të bashkëpunojë në çështjet e drejtësisë

Kosova dhe Bosnja kanë bashkëpunuar më parë në çështjet penale, pavarësisht faktit se Sarajeva ende nuk e ka njohur Prishtinën.

Kur persona të armatosur serbë vranë një zyrtar policie në Kosovë në fund të shtatorit, autoritetet kërkuan ndihmë në hetimin e tyre nga Bosnja dhe Hercegovina, një vend që ende nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Prokurorët në Serbi thonë se personat e armatosur, tre prej të cilëve u qëlluan për vdekje nga policia në përleshjen pasuese, e kishin marrë armatimin e tyre nga Bosnja.

Bosnja e refuzoi këtë kërkesë, mirëpo, Kosova megjithatë iu drejtua Sarajevës për ndihmë, duke paraqitur një kërkesë për “ndihmë juridike reciproke” përmes Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë. Zyra në fjalë i tha BIRN se kërkesa ishte përcjellë në Sarajevë. Prokuroria publike e Bosnjës e ka konfirmuar pranimin e kërkesës duke thënë se do të hetonte, pa specifikuar nëse ndonjë informacion që do të zbulonte do të dërgohej në Kosovë.

Ky rast është një shembull tjetër se si të dy shtetet mund të bashkëpunojnë edhe në mungesë të njohjes formale të njëra-tjetrës.

“Çdo lloj bashkëpunimi” – qoftë ky bashkëpunim për pikat kufitare apo njohjen e dokumenteve – është një indikator i qartë i një tendence drejt njohjes, thotë Enis Omeroviq, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Zenicës në Bosnje.

Mirëpo, pa njohje, të dyja palët mund ta interpretojnë atë bashkëpunim siç e shohin të arsyeshme, thotë Gezim Visoka, profesor i asociuar i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Dublinit.

“Pa njohje eksplicite dhe ‘de jure’, çdo lloj bashkëpunimi ndërshtetëror u lë hapësirë palëve ta interpretojnë atë sipas gjykimit të tyre”- thotë Visoka për BIRN.

Zyra e BE-së i ka thënë BIRN se që nga 24 nëntori, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga autoritetet boshnjake në rastin e sulmit në fshatin Banjska të Kosovës veriore më 24 shtator.

Reciprociteti

Përveç Serbisë, Bosnja është e vetmja ish-republikë jugosllave që nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Kjo çështje është përgjegjësi e presidencës trepalëshe shtetërore, për të cilën anëtari serb ka votuar vazhdimisht kundër.

Të dyja vendet nuk kanë asnjë marrëveshje dypalëshe që lejon udhëtimin pa viza mes tyre dhe asgjë për t’i rregulluar ekstradimet apo bashkëpunimin në hetimin e çështjeve penale.

Boshnjakëve u duhen viza për të hyrë në Kosovë që nga viti 2014, ndërsa kosovarëve u duhen viza për të hyrë në Bosnje që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008. Megjithatë, Bosnja i ka njohur pasaportat e Kosovës në vitin 2012.

Në nëntor të vitit të kaluar, kryeministrat e Ballkanit Perëndimor nënshkruan tri marrëveshje të reja përmes të cilave lejohen qytetarët e gjashtë vendeve të rajonit t’i kalojnë kufijtë duke përdorur vetëm karta identiteti dhe garantojnë njohje reciproke të diplomave dhe kualifikimeve profesionale për mjekët, dentistët dhe arkitektët. Mirëpo, ndërkohë që Kosova e ka ratifikuar këtë marrëveshje, ligjvënësit boshnjakë ende nuk e kanë votuar atë për shkak të kundërshtimit nga serbët e Bosnjës. Një marrëveshje e vitit 2019 për heqjen e shërbimeve roaming është një nga marrëveshjet e pakta rajonale që përfshin Bosnjën dhe Kosovën.

Në vitin 2013, Kosova dhe Serbia ranë dakord për bashkëpunim gjyqësor përmes ndërmjetësimit të BE-së, por në praktikë, progresi ka qenë i kufizuar dhe i dëmtuar nga vonesa të gjata – ndonjëherë pa asnjë bashkëpunim – veçanërisht kur bëhet fjalë për rastet penale dhe krimet e luftës.

Pavarësisht mungesës së një marrëveshjeje të ngjashme mes Kosovës dhe Serbisë, Ministria e Drejtësisë e Kosovës i ka thënë BIRN se Bosnja tashmë i ka ekstraduar të dyshuarit për krime lufte në Kosovë.

Një bashkëpunim i tillë ndodh bazuar në “parimin e reciprocitetit”- thotë  ministria e lartcekur.

“Nuk ka marrëveshje, por reciprocitet për ekzekutimin e kërkesave”.

Omeroviq thotë se reciprociteti është një parim bazë i së drejtës ndërkombëtare.

“Ashtu sikurse ne dhe institucionet tona sillemi në situata të caktuara, kështu do të sillen edhe institucionet e vendeve të tjera”- tha ai.

“Është shumë e pranishme në të drejtën ndërkombëtare, veçanërisht në rastet kur nuk ka një marrëveshje zyrtare dypalëshe për një bashkëpunim të tillë, në rast se dëshironi të bashkëpunoni me një vend tjetër”.

Zëdhënësi i prokurorisë boshnjake Boris Grubesiq thotë se Bosnja dhe Kosova kanë bashkëpunuar më parë në veçanti për rastet e krimit të organizuar, duke përmendur ‘rastin e dyshuar të drogës Naser Kelmendi’.

Por në këtë rast, Kelmendi, i cili u arrestua në Kosovë në maj të vitit 2013 në bazë të një fletarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Bosnja, është përballur me procedura ligjore vetëm në Kosovë për shkak të mungesës së marrëveshjes për ekstradim me Bosnjën, ku përballet me akuza të rënda përfshirë krimin e organizuar, trafik droge dhe tentativë vrasjeje. Kelmendi u dënua nga një gjykatë e Kosovës për trafik droge në maj dhe u dënua me katër vjet e tetë muaj burg, një muaj më shumë se sa kishte kaluar në paraburgim, mirëpo u lirua përmes apelit në gusht.

Përpjekjet për të ngritur një urdhër-arresti ballkanik të modeluar sipas Urdhër-Arrestit Evropian, i cili i thjeshton procedurat ndërkufitare për ndjekjen penale ose ekzekutimin e dënimeve me burgim ose urdhrat e paraburgimit, ende po dalin të jenë të pasuksesshme.

Në maj 2023, një projekt i drejtësisë penale në Ballkanin Perëndimor i financuar nga Komisioni Evropian u jetësua me qëllim identifikimin e rasteve të zakonshme që mund të përfitojnë nga bashkëpunimi rajonal, i mbështetur nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale, Eurojust.

Në vitin 2021, një shembull i qartë i bashkëpunimit u pa kur Kosova pranoi të ekstradonte një shtetas libian të kërkuar nga autoritetet boshnjake në lidhje me një rast të vrasjes.