Të enjten vendimi i Gjykatës së Apelit për Salih Mustafën: Çfarë duhet të dini?

Në Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten do të jetë një seancë tejet me rëndësi. Aty prite të kumtohet vendimi i Gjykatës së Apelit lidhur me rastin e Salih Mustafës.

Ish-eprori i UÇK-së i njohur me nofkën Cali ishte dënuar me 26 vjet burg në shkallën e parë, rreth akuzave për krime lufte.

Mustafa u dënua për akuzat që ndërlidhen me: ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme. Krejt këto, nën dyshimet se i ka kryer si udhëheqës i njësitit BIA. Mustafa ishte liruar nga akuza për trajtim mizor.

Ai është dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.

“Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim me 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”, kishte thënë kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia.

Dënimi i Calit ishte vendimi i parë i Gjykatës Speciale për akuzat që ndërlidhen me krime të luftës.

Në Kosovë ky dënim ishte kritikuar tej mase, pasi në Kosovë asnjë dënim për krime lufte nuk kishte shkuar më shumë se 20 vjet. Kjo për shkak se ishte vendosur me ligjin që ka qenë më i favorshëm për të akuzuarit, që në këtë rast merrej parasysh kodi penal për ish-Jugosllavinë.

Vendimin e Apelit do ta shqiptojnë gjyqtarë: Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Seanca do të mbahet të enjten me datë 14 dhjetor nga ora 09:30.

Dënimi i Salih Mustafës

Trupi gjykues në vendimin e shkallës së parë e kishte dënuar Salih Mustafën për tri vepra penale: ndalim arbitrar, torturë e vrasje të paligjshme.

Tek vepra e parë penale që ndërlidhet me ndalimin arbitrar, trupi gjykues kishte vlerësuar se në 5 raste personat ishin ndaluar nga njësiti BIA në Zllash.

“Gjithashtu, Trupi Gjykues ka konstatuar se gjatë ndalimit të tyre, të ndaluarve në asnjë moment nuk iu akorduan garancitë bazë, të cilat sipas të drejtës humanitare ndërkombëtare duhet t’i jepen çdo personi të cilit i hiqet liria. Konkretisht, të ndaluarit nuk u informuan për arsyet e heqjes së lirisë së tyre; nuk u nxorën menjëherë para një gjykatësi apo autoriteti tjetër kompetent; dhe nuk iu dha mundësia të kundërshtonin ligjshmërinë e ndalimit të tyre. Përkundrazi, viktimat u mbajtën të ndaluar, u keqtrajtuan nga anëtarët e BIA-s, dhe madje njëri prej tyre u vra. 1400 Rrjedhimisht, Trupi Gjykues konstaton se është përmbushur elementi i dytë material i ndalimit arbitrar si krim lufte”, thuhet në aktgjykimin e shkallës së parë.

“Trupi Gjykues ka konstatuar se gjatë gjithë periudhës kohore të akuzave, i akuzuari ishte komandant i përgjithshëm dhe i vetëm i BIA-s dhe se BIA kontrollonte kompleksin e ndalimit në Zllash. 1401 Trupi Gjykues ka konstatuar gjithashtu se i akuzuari ishte i pranishëm në shumë raste në kompleksin e ndalimit në Zllash gjatë prillit 1999, përfshirë dhe në momentet kritike: (i) më [REDAKTUAR] prill 1999 ose rreth [REDAKTUAR], kur viktima e vrasjes së paligjshme iu dorëzua [REDAKTUAR] një anëtari të BIA-s në kompleksin e ndalimit në Zllash; dhe (ii) në dy javët e para të prillit 1999, konkretisht kur i akuzuari keqtrajtoi personalisht ose ishte dëshmitar i keqtrajtimit të W01679-ës dhe W03593-shit1402 nga vartësit e tij të BIA-s. Gjithashtu, Trupi Gjykues ka konstatuar se vendimi për lirimin e disa të ndaluarve dhe për mbajtjen e të tjerëve në ndalim, me gjithë afrimin e ofensivës serbe, mund të merrej vetëm nga i akuzuari, si komandant i BIA-s.1403 Së fundi, vetë i akuzuari, në deklaratën e tij për ZPS-në, deklaroi se ishte në dijeni ose së paku kishte dëgjuar se në kompleksin e ndalimit në Zllash po mbaheshin të ndaluar disa persona (ndër të cilët mund të kishte dhe civilë)”, thuhej më tutje aty.

Sipas trupit gykues, Mustafa ka qenë në dijeni për të gjitha këto veprime që janë kryer.

Lidhur me akuzën e dytë të torturës, trupi gjykues kishte vendosur se njësiti BIA i kishte maltretuar të ndaluarit, duke i torturuar në forma të ndryshme, për çka u dënua Cali.

“Trupi Gjykues ka konstatuar se të paktën gjashtë persona, ndër të cilët W01679, W03593, W03594, W04669, viktima e vrasjes së paligjshme, [REDAKTUAR], rregullisht u keqtrajtuan fizikisht nga i akuzuari dhe nga anëtarë të tjerë të BIA-s në kompleksin e ndalimit në Zllash.1449 Të ndaluarit u rrahën me mjete të ndryshme si shkopinj bejsbolli, bishta sakice, shufra hekuri ose shkopinj druri/gome; u dogjën me një hekur ose dyllë të nxehtë qirinjsh; iu vunë rrymë elektrike në trup; u shpuan me thikë; u shkelmuan, u goditën me grushte dhe shuplaka çdo ditë. 1450 Shpesh të ndaluarit u keqtrajtuan nga disa anëtarë të BIA-s njëherësh dhe disa prej tyre u rrahën për orë të tëra.1451 Keqtrajtimi u shkaktoi atyre mavijosje, ënjtje, gjakosje, rraskapitje, humbje të vetëdijes, dhe pafuqi për të qëndruar në këmbë, për të ecur apo për të folur.1452 Viktima e vrasjes së paligjshme u keqtrajtua aq rëndë, sa në kohën kur u liruan të ndaluarit e tjerë, ai ishte pothuajse i vdekur.1453 Disa nga të ndaluarit në atë kohë ishin veçanërisht [REDAKTUAR]: [REDAKTUAR]”, thuhet në aktgjykim.

Sipas vendimit, Mustafa në disa raste ka marrë pjesë gjatë këtyre torturave.

“Për këto arsye, Trupi Gjykues konstaton se, bazuar në provat në tërësi, i vetmi përfundim i arsyeshëm është se i akuzuari dhe anëtarët e tjerë të BIA-s në kompleksin e ndalimit në Zllash në prill 1999, u shkaktuan qëllimisht dhimbje dhe vuajtje të rënda të ndaluarve, duke përfshirë mbajtjen e tyre në kushte çnjerëzore ndalimi”, thuhet në aktgjykim.

Diskutimi më i madh ishte bërë lidhur me dënimin për vrasje të paligjshme. Kjo pasi, viktima e pretenduar që ishte gjetur i vrarë, fillimisht ishte ndaluar nga njësiti në Zllash. Megjithatë, pasi fillimit të ofensivës serbe, nuk ishte vërtetuar qartë se vrasjen e ka kryer dikush nga njësiti, apo forcat serbe. Megjithatë, Cali u dënua.

“Në konstatimet e veta faktike në lidhje me Pikën 4, Trupi Gjykues konstatoi se i vetmi përfundim i arsyeshëm sa i përket vdekjes së viktimës së vrasjes së paligjshme është se ai u vra afërsisht midis 19 prillit 1999 dhe fundit të prillit 1999, si pasojë e kombinimit të: (i) keqtrajtimit të rëndë të shkaktuar nga anëtarët e BIA-s, të cilët e mbajtën të ndaluar, duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike; (ii) refuzimit të ndihmës mjekësore nga anëtarët e BIA-s; dhe (iii) plagëve me armë zjarri të shkaktuara nga plumbat, në lidhje me të cilat Trupi Gjykues ka konstatuar se ekziston dyshim i arsyeshëm nëse ato mund t’u atribuohen anëtarëve të BIA-s, apo forcave serbe. Gjithashtu, në konstatimet e veta faktike Trupi Gjykues ka përcaktuar se shkaqet e vdekjes të përmendura në pikat (i) dhe (ii) më lart përbëjnë shkaqe të qenësishme për vdekjen e viktimës së vrasjes së paligjshme dhe i atribuohen të akuzuarit, në kontekstin e vendimeve të tij për të mos liruar apo evakuuar viktimën e vrasjes së paligjshme, pavarësisht nëse viktima e vrasjes së paligjshme u godit nga një ose më shumë plumba serbë”, thuhej në vendim.

“Gjithashtu, Trupi Gjykues rikujton se më 19 prill 1999 ose rreth kësaj date, kur të ndaluarit u liruan papritur nga anëtarët e BIA-s për shkak të afrimit të ofensivës serbe, viktima e vrasjes së paligjshme [REDAKTUAR] nuk u liruan. Sipas mendimit të Trupit Gjykues, këta dy të ndaluar jo rastësisht ishin dy të burgosurit më të keqtrajtuar.1492 Ndonëse Trupi Gjykues ka konstatuar se i akuzuari duhet të ketë ushtruar kompetencën e tij si komandant për lirimin e disa të ndaluarve dhe për evakuimin e kompleksit të ndalimit në Zllash, ai ushtroi qartësisht të njëjtën kompetencë për të mbajtur të ndaluar viktimën e vrasjes së paligjshme, pas keqtrajtimit shumë më të rëndë që iu bë atij sesa çdo të ndaluari tjetër. Në lidhje me këtë, në konstatimet faktike mbi Pikën 4, Trupi Gjykues ka përcaktuar se në bazë të provave të marra në tërësi, i vetmi përfundim i arsyeshëm është se: (i) vendimet për të mos liruar apo evakuuar viktimën e vrasjes së paligjshme mund të merreshin vetëm nga i akuzuari, si komandant i përgjithshëm i BIA-s në kompleksin e ndalimit në Zllash; dhe (ii) vendimi i të akuzuarit për të mos e liruar viktimën, i zbatuar nga vartësit e tij të BIA-s, së bashku me vendimin për të mos e evakuuar, ishin faktikisht barabar me një vendim për ta vrarë viktimën e vrasjes së paligjshme, duke pasur parasysh se të ndaluarit e tjerë u larguan nga kompleksi i ndalimit të Zllash, ndërsa viktima e vrasjes së paligjshme vazhdoi të mbahej i ndaluar dhe iu mohua mundësia e fundit për t’u shpëtuar”,theksonte vendimi./Nacionale