Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke ia adresuar katër “skandale”.
Tahirinë një konferencë për media përmendi koston e jetesës, rezultatin e testit PISA, qasjen ndaj sindikatave dhe politikën e jashtme.
“Grupi parlamentar i AAK-së do t’i adresojë katër çështje, skandale, probleme për të cilat qeveria e Kosovës nuk është duke i adresuar. Tema e parë që po bëhet problem në nivel kombëtar ka të bëjë me rritjen e koston e jetesës. Sipas informatave që kemi, rritja e kostos momentalisht është problemi kryesor i secilit qytetar i Kosovës”, tha Tahiri.
“Të punësuarit në sektorin publik edhe në privat me pagat e tanishme janë kthyer në kategori të shoqërisë me probleme të mbijetesës sociale. 80 për qind që kanë pagë mbi 600 janë me kredi të ndryshme”, tha ai.
Rezultati i testit të PISA-s, Tahiri tha se është “skandal në vete” dhe se e ka dëshmuar “degradimin e arsimit në këtë qeveri”.
“Nuk ka ndodhur asnjë planifikim mbi trendet në shkollë, mbi çfarë mësimdhënie në zonat urbane dhe ato rurale. 99 për qind teori, një për qind praktikë”, tha ai.
“Çështja e tretë arrogancën ndaj shtresave vitale të shoqërisë, injorimi dhe ofendimi që i bëhet secilës kategori që lyp të drejtën e vet”, tha Tahiri.
“Çështja e katërt ka të bëjë me politikën e jashtme, diagnoza e politikës së jashtme të Kosovës sot është e thjeshtë, tri vjet asnjë njohje, asnjë anëtarësim në asnjë organizata ndërkombëtare, rroftë Gani Jakupi, po i del rroga”, shtoi ai.