Armend Muja është njëri nga deputetët më të votuar të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.
Por, ai është edhe goxha i zëshëm. Deputeti “zhurmaxhi” i VV-së, pra Muja, mbrëmë ka dhënë një intervistë në emisionin “Pressing” të T7, ku foli për shumë tema, përfshirë dialogun, veriun e Asociacionin.
Ai bëri shumë përpjekje për të mbrojtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kur u pyet për draftin e Asociacionit, Muja theksoi se kanë qarkulluar shumë drafte dhe se nuk e di cili është versioni origjinal.
“Unë kam parë shumë drafte që kanë qarkullu, çfarë është e vërteta unë nuk e kam parë draftin, po them drejtpërdrejtë. Nuk e di nëse ky është versioni origjinal… Po të jetë ky draft, nuk e di nëse është zyrtar, mund të jetë versioni zyrtar.” – deklaroi Muja.
Në lidhje me situatën në veri të Kosovës, Muja ka bërë një deklaratë, që më shumë i ngjan fajësimit. Në fjalën e tij, Muja e përmendi letrën që Hashim Thaçi, ish-president i Kosovës, ia kishte dërguar NATO-s në lidhje me zbarkimin e FSK-së në veri.
Ndonëse nuk e përmendi me emër Thaçin, aludimi ishte i qartë, pasi ishte Thaçi që i shkroi në cilësinë e kryeministrit të Kosovës sekretarit të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Pra Muja u mor me Thaçin e paraburgosur nga Gjykata Speciale në Hagë.
Sipas tij, kjo letër, e cila ofronte garanci që FSK-ja do të ndërmerrte misione në veri vetëm në bashkëveprim me KFOR-in, ishte pengesë e madhe gjatë menaxhimit të situatës në veri. Tutje, ai vlerësoi se sikur të mos ishte kjo letër, veriu do të harrohej si problem.
“Janë do barriera. Një barrierë është, ta zëmë, përkushtimi për mos shkuarjen e FSK-së, të garantoj që po mos të ishte edhe ajo letër, veriu i vendit do të harrohej si problem. Do të thotë FSK-ja do të ishte atje. Ajo, them realisht, ajo ka qenë, e di nga brenda, një nga pengesat esenciale gjatë menaxhimit të situatës ka qenë ajo letër” – deklaroi Muja.
Në fakt, kjo qasje e Mujës nuk është origjinale, autentike. Në këtë pikë, Muja mbrëmë tingëlloi bash sikur Kurti. Pse?
Kohë më parë, ishte shefi i Mujës në Lëvizjen Vetëvendosje, pra Kurti, i cili e kishte bërë të njëjtën akuzë. Gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës, Kurti e vlerësonte përmbajtjen e letrës së Thaçit për NATO-n si “katastrofë”.
“Kufirin e kemi shumë të gjatë me Serbinë, 381 kilometër, më i gjati është në Podujevë, mandej në Leposaviq. Në Leposaviq kufirin do të duhej, po edhe në Zubin Potok dhe në Zveçan me na ruajtur ushtria. Mirëpo me datë 19 prill 2013, ish-kryeministri Thaçi ia ka çu një letër ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s që FSK-ja se kalin Ibrin. Katastrofë është ajo letër. Unë jam i kushtëzuar në raportet me NATO-n për shkak të qasaj letre. Prandaj, para se me u kualifiku me na bë këtë kritikë e me kqyr me na marrë në pyetje trego a është gabim apo është në rregull qajo letër. Sepse, kufirin nuk ta ruan, e nuk ta mbron policia si ushtria.” – deklaronte Kurti muaj më parë.
Kurti vlerësonte se sikur të mos ishte kjo letër, atëherë FSK-ja do të ishte në veri, duke e ruajtur kufirin.
“Mos të ishte ajo letër, ne e kishim pas Forcën e Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës, nuk e kemi. Po na duhet me këto vegla e mjete pune që i kemi ta bëjmë maksimumin.” – shtonte Kurti./Nacionale