Një takim zyrtar i Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama po vonohet së paku nga qershori kur u anulua mbledhja e përbashkët e dy qeverive.
Raportet i ka acaruar edhe drafti për statutin e Asociacionit që e kishte hartuar Kryeministri i Shqipërisë duke ia dërguar Francës dhe Gjermanisë që në bashkëpunim me shtete tjera tashmë e kanë propozuar një të tyrin. Rama tashmë ka raporte më të mira me Presidenten Osmani. Mbase edhe kjo e ka inkurajuar që të paralajmërojë një vizitë në Prishtinë, e cila ende s’dihet kur do të realizohet. “Për vizitën në Prishtinë po, do ta bëj, por mbledhje të qeverive nuk kam thënë që do të ketë”, ka thënë ai.
Së shpejti do të shkoj në Prishtinë për të treguar personalisht mbështetjen time”.
Kështu deklaroi kryeministri shqiptar, Edi Rama, më 2 nëntor pasi u shpreh entuziast për qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti për të pranuar një draft të ri për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që e sollën ndërmjetësit më 21 tetor në Prishtinë. Por, ka kaluar më shumë se një muaj nga kjo deklaratë e Ramës dhe më parë ka shkuar Kurti në Shqipëri sesa që Rama ka ardhur në Kosovë.
Kryeministri Rama u angazhua që ta nxjerrë nga ngërçi dialogun Kosovë-Serbi duke propozuar një draft Asociacionin, të cilin e dërgoi në kryeqendrat europiane pa e diskutuar me kryeministrin Kurti. Kjo u pasua me anulimin e mbledhjes së dy qeverive e paraparë që çoi në një tensionim raportesh mes dy kryeministrave.
Drafti i propozuar i Shqipërisë nuk u bë plotësisht draft zyrtar që iu prezantua palëve, por Rama duartrokiti gatishmërinë e Kosovës që të pranojë propozimin e fundit nga perëndimorët. Për këtë, ai tha se do të vijë në Prishtinë për t’i dhënë mbështetjen liderëve kosovarë.
“Nuk mund të jem më krenar për qëndrimin dhe kontributin konkret të Shqipërisë në procesin e vështirë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, draft-statuti i Asociacionit, i pranuar nga Kosova dhe Serbia si dokument i përshtatshëm për të punuar, është draft i BE-së. Shqipëria do të mbështesë fuqishëm Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal ndërmjet të gjitha vendeve të rajonit tonë. Së shpejti do të shkoj në Prishtinë për të treguar personalisht mbështetjen time”, kishte shkruar Rama në X më 2 nëntor.
Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Kryeministrinë e Shqipërisë edhe në atë të Kosovës, por s’ka marrë përgjigje nëse do të realizohet vizita e paralajmëruar e Ramës.
Dje në një intervistë për A2CNN Rama tha se s’ka hequr dorë nga kjo vizitë, por se s’ka premtuar ndonjë mbledhje të qeverive të përbashkëta.
“S’kam thënë kurrë do të kemi mbledhje të qeverive. Ku i keni dëgjuar këto? Për vizitën në Prishtinë po, do ta bëj, por mbledhje të qeverive nuk kam thënë që do të ketë”, tha ai.
Rama s’erdhi ende, por për festën e 28 Nëntorit, Kurti shkoi në Shqipëri dhe krah Ramës mori pjesë në ceremonitë shtetërore për Ditën e Flamurit.
Për raportin e tij me Kurtin, Rama ka folur mbrëmë, duke përsëritur qëndrimin e tij se Kurti s’bëri mirë që s’u rreshtua krah ndërkombëtarëve për një kohë të gjatë/
“Unë s’kam pasë asnjëherë problem. Unë për veten time, them ato që bëj dhe bëj ato që them. Nuk pretendoj se kam të drejtë me çdo kusht, por nga ana tjetër, nuk ndërroj qëndrim kur kam bindjen që ky është qëndrimi, edhe sikur çka të bëhet. Dhe më vjen mirë që për shkak se nuk e di në çfarë mënyre drafti i Asociacionit i propozuar nga unë, por jo i shkruar nga unë, por nga një grup ekspertësh të nivelit më të lartë ndërkombëtar u bë publik dhe u pa qartësisht që është një draft pozitiv shumë për Kosovën”, tha ai.
I pyetur se pse s’e kishte diskutuar me Kurtin paraprakisht propozimin e tij për Asociacionin, Rama tha se nuk mund ta bënte.
“Nuk mund ta bëja këtë gjë dhe e kam shpjeguar pse. Por, edhe drafti që është propozuar është një draft shumë i mirë dhe unë shpresoj që ata ta mbështesin, ta marrin, ta aprovojnë dhe pastaj ta lënë topin në fushën e Serbisë dhe të mos rrinë ta mbajnë vetë, siç gabimisht bënë për një periudhë të gjatë duke marrë mbi vete shumë presione dhe shumë pakënaqësi”, tha ai./Gazeta Express