Avokati Bozho Preleviq tha sot se autoritetet në Beograd, në krye me Aleksandër Vuçiqin, nuk guxojnë ta arrestojnë Milan Radojiçiqin sepse e dinë se ai nuk e ka organizuar konfliktin në Banjskë më 24 shtator.
Duke komentuar lëshimin e urdhërarrestit të Interpolit kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe dhe bashkëpunëtorit më të afërt të Vuçiqit për çështjen e Kosovës, Preleviq tha se Radojiçiq mund të jetë një dëshmitar i papërshtatshëm për qeverinë aktuale, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, për Serbinë do të ishte problem të mos veprojë me urdhër të Interpolit në momentin “kur dihet se kush po e mbron Radojiçiqin në Serbi”.
“Milan Radojiçiq mbrohet dhe ruhet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Qeveria në mënyrë të ngathët dhe të dëmshme për këtë vend u përpoq të mbrohej nga ngjarjet në Banjskë duke nisur procedurën kundër Radojiçiqit dhe duke e liruar menjëherë. Shtrohet pyetja se kush është përgjegjës për të gjitha ngjarjet tragjike në Banjskë, sepse Radojiçiq sigurisht nuk mund të siguronte një sasi të madhe armatimi, pajisje ushtarake, madje as një automjet luftarak vetë”, tha Preleviq për agjencinë e lajmeve Beta.
Ai ka theksuar se Radojiçiq nuk është objektivi kryesor i Interpolit, transmeton lajmi.net.
“Autoritetet në Serbi e dinë gjithashtu se Radojiçiq nuk është objektivi kryesor i Interpolit, por ai mund të tregojë objektivin e duhur. Prandaj nuk ka asnjë procedurë hetimore në Beograd në lidhje me Banjskën. Nëse prokuroria do të bënte punën e saj, do të përfundonte dëmet kolosale që u janë bërë interesave serbe në Banjskë, Banjska është një pikë kthese pas së cilës nuk ka më rezistencë në veri të Kosovës”, ka vlerësuar Preleviq.