Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar dëshminë e tij disaditore dëshmitari i 36-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Sadik Halitjah, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fund të dëshmisë së tij, dëshmitari Sadik Halitjaha tha se uron që dëshmia e tij të ketë kontribuar në këtë gjykatë dhe se iu uron liri të akuzuarve, duke i quajtur “çlirimtarë”.
“Uroj që kam dhënë kontribut sado pak modest. Besoj që kanë qenë korrekte dëshmitë e mija dhe i uroj sukses këtij procesi dhe liri çlirimtarëve”, tha dëshmitari Halitjaha.
Pas marrjes në pyetje të dëshmitarit nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, me pyetje të tjera vazhdoi mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit, Gregory Keohe.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Keohe, dëshmitari Halitjaha tha se e ka parë Hashim Thaçin vetëm dy herë gjatë vitit 1998 dhe asnjëherë më vonë. Sipas tij, njëra prej këtyre herave është në oborr të Shtabit të Përgjithshëm dhe tjetra në Budakovë.
“…Budakovë edhe njëherë rastësisht e kam taku në oborr të Shtabit tek çeshmja, tek kroni… 2 herë e kam pa gjatë luftës”, tha dëshmitari, duke theksuar që këto dy herë kanë qenë në vitin 1998”, tha dëshmitari.
Pyetjet e avokatit Keohe u fokusuan edhe tek Blerim Kuçi, për të cilin dëshmitari tha se ka ikur rreth datës 22 apo 24 gusht 1998 në Shqipëri.
Së bashku me Kuçin, dëshmitari tha se janë larguar edhe ushtarët e tjerë të Brigadës 123.
“Ushtarët e Brigadës 123 kanë ikë bashkë…me vullnet kemi hy se ka qenë ushtri vullnetare, por nuk kemi pas të drejtë ta lëshojmë ne. Ikja në pabesi ndryshe është dezertim”, tha dëshmitari Halitjaha.
Dëshmitarit iu prezantua edhe një dokument. Lidhur me të, Keohe pyeti dëshmitarin se a është njoftuar nga përfaqësuesit e ZPS-së se ka prejardhje nga serbët.
“Nuk më është tregu ky dokument. Nëse e kam pa dje, e kam pa, më herët nuk e kam pa”, tha dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Keohe.
Një dokument tjetër i cili iu prezantua dëshmitarit, ishte i datës 5 shkurt, për të cilin pretendohej se kishte ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm, mirëpo mbante nënshkrimin e Ekrem Rexhës i cili ndryshe njihej si Komandant Drini. Halitjaha tha se ky dokument mban emrin e Rexhës, mirëpo për atë ka nënshkruar Sylejman Kollçaku.
“Nuk mund të nënshkruhej nga Komandant Drini…Ky dokument nuk e ka strukturën e dokumentit të Shtabit të Përgjithshëm…Për Ekremin, ka nënshkru Sylejman Kollçaku. Sylejman Kollçaku ka qenë zëvëndëskomandant i Zonës Operative të Pashtrikut, ka qenë edhe pak ditë, pak ditë, më vonë ka ikë. Ky dokument nuk është përpiluar nga Shtabi i Përgjithshëm”, tha dëshmitari, duke theksuar që nuk është në dijeni që është mbajtur ndonjë mbledhje në Shtabin e Përgjithshëm.