Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka uruar 111-vjetorin e ushtrisë shqiptare, duke thënë se Forcat e Armatosura të Shqipërisë, janë partnerë të natyrshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pa harruar përfshirjen e ushtarakëve shqiptarë në luftën e Kosovës në vitin 1999, teksa e ka cilësuar kapitull të lavdishëm në historinë e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri.
“Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë partnerja më e natyrshme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, meqë të dyja këto forca ushtarake, mbrojnë hapësirën e jetesës dhe sigurinë në regjion. 4 dhjetori i vitit 1912 është data e themelimit të ushtrisë së Shqipërisë!”, ka shkruar ministri Maqedonci në “Facebook” të hënën për nder të 111-vjetorit të ushtrisë shqiptare.
Ministri Maqedonci ka treguar edhe kontekstin historik të konsolidimit të ushtrisë shqiptare. Ai ka përmendur figurën heroike të shqiptarëve, Isa Boletini, i cili, sipas tij, atëherë ishte propozuar për të marrë drejtimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, por ndonëse kishte refuzuar, rreth 300 vullnetarë nga Kosova i kishte vënë në dispozicion për t’i shërbyer atdheut.
“Një kapitull shumë i lavdishëm i forcave ushtarake të shtetit shqiptar, është përfshirja e ushtarakëve të saj në luftën e Kosovës më 1999, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo duke ndihmuar me trajnime dhe armë”, ka shkruar ministri Maqedonci, derisa ka uruar homologun tij, Niko Peleshi, për shënimin e 111-vjetorit të Forcave të Ar,atosura të Shqipërisë.