Tensionet në veri të vendit gjatë javës që lamë pas, “prodhuan” një takim të ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Këta të dy, më 18 gusht do të ulen në tryezën e bisedimeve në Bruksel. Gazeta Nacionale ka biseduar me partitë opozitare për pritshmëritë që ato kanë në lidhje me këtë takim.
Bashkimi Evropian nuk ka treguar se për çka do të mbahet takimi i radhës, i konfirmuar për 18 gusht, mes Kurtit e Vuçiqit, në një përgjigje për gazetën Nacionale.
“Mund të konfirmoj se pasi Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell ftoi të dyja palët në Bruksel, presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti e pranuan ftesën e tij dhe ata do të priten në Bruksel më 18 gusht nga Përfaqësuesi i Lartë dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajčák për të diskutuar rrugën përpara në Dialogun Beograd-Prishtinë. Do të ndajmë më shumë detaje rreth logjistikës dhe agjendës më afër ditës së takimit”, thanë nga BE.
https://permbledhja.com/afati-i-transferimeve-ne-politike-vv-e-merr-nje-ish-deputete-te-ldk-se-ne-parti/
Dy politikanët do të shihen për herë të parë me njëri-tjetrin, pas darkës së famshme në Berlin, takim ky që vjen pas tensioneve në veri të vendit.
Çka mendon opozita?
Gazeta Nacionale ka biseduar me deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, lidhur me këtë takim.
Kjo e fundit, na tha se nuk pret asgjë nga ky takim, derisa shtoi se nuk ka parë rezultat nga Qeveria Kurti për këtë kohë sa është në pushtet.
“Të jem e sinqertë, nuk pres asgjë nga ky takim. Janë bërë një vit e gjysmë i Qeverisë Kurti dhe ne nuk kemi parë asnjë rezultat, qoftë në politikën e brendshme, apo në atë të jashtme. Kosova ka shënuar regres në çdo fushë në qeverisjen Kurti. Albin Kurti sa ishte në opozitë, akuzonte ish-negociatorët për çdo temë që diskutohej në Bruksel. Veriun e shihte si çështje të brendshme dhe dialogun për të, e kufizonte në dialog vetëm me serbët e Kosovës. Sjellja e Albinit nuk është gjë tjetër veçse një vazhdimësi e qasjes së vjetër ndaj këtyre temave”, ka thënë ajo.
Sa i përket mundësisë që vendimet e Qeverisë Kurti për reciprocitet të bisedohen në Bruksel, Musliu tha se një gjë e tillë nuk duhet të diskutohet.
“Reciprociteti është pjesë e marrëveshjeve paraprake dhe kërkesa e Kosovës për aplikim është legjitime. Por, tani Albin Kurti është duke e përjetuar se çfarë do të thotë të jesh përgjegjës e jo më akuzues. Pra, unë mendoj që veriu dhe reciprociteti nuk duhet të diskutohen. BE-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtarë do tëduhej të ishin më të vendosur kundër qasjes së Serbisë në raport me Kosovën, e jo të vazhdojnë ta prangojnë Kosovën”, ka thënë deputetja e PDK-së.
Shqipe Mjekiqi, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i tha gazetës Nacionale se Qeveria është jotransparente sa i përket dialogut, në raport me qytetarët dhe opozitën.
Tutje, ajo shtoi se subjekti në të cilin bën pjesë, kërkon nga Kurti që të raportojë në Kuvend, para dhe pas secilës vizitë në Bruksel.
“Siç e kemi thënë edhe më parë, Qeveria është jotransparente në raport me qytetarët dhe opozitën sa i takon procesit të dialogut. Rrjedhimisht edhe nuk kemi informata zyrtare për atë që mund të diskutohet në takimin e rradhës. Megjithatë, në përputhje me Rezolutat e Kuvendit të Kosovës, LDK kërkon nga Kryeministri që të raportojë në Kuvend para dhe pas çdo vizite në Bruksel”, ka thënë Mjekiqi.
https://permbledhja.com/presidenti-i-ri-i-shqiperise-kompleton-ekipin-mediat-publikojne-emrat/
Ndërkaq, zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lulzim Blaka, u shpreh se mendon që do të diskutohet edhe çështja e reciprocitetit.
“Takimi i 18 gushtit mendoj që është kthim prapa. Fatkeqësisht, mendoj që do të diskutohet edhe tema e reciprocitetit, e cila nuk është temë për negociata, sepse është çështje e brendshme e Kosovës”, ka thënë ai.
Blaka shtoi se AAK-ja besonte se vetëm dialogu në Washington është produktiv, e që sipas tij, një gjë e tillë nuk po shihet nga emisari evropian, Mirsolav Lajçak.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës beson se i vetmi dialog produktiv, është ai në Washington, ku duhet të diskutohet njohja reciproke. Përndryshe, nuk po shohim produktivitet e as epilog të diskutimeve të udhëhequra nga z. Lajçak, e ku pala amerikane nuk është e përfshirë”, ka shtuar ai.
Zhvillimet që sollën takimin Kurti-Vuçiq
Pasditja e së dielës krijoi tensione në veri të Kosovës, kjo pas vendosjes së reciprocitetit për targat dhe dokumentet e identifikimit.
Një ditë para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, në orën 16:00 në veri u lëshua alarmi, i cili zakonisht shërben si ftesë për grumbullimin e serbëve atje.
Pas kësaj, u vendosën barrikada që çojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat u bllokuan plotësisht për kalim, derisa udhëtarëve iu rekomandua që të përdorin alternativa të tjera.
Policia, konfirmoi se gjatë kësaj kohe, pati edhe të shtëna me armë, ndërkaq, 11 persona mbetën të lënduar si pasojë e tensioneve atje.
Pak para mesnatës, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, zhvilloi takim me krerët e shtetit, të cilëve u kërkoi që ta shtyjnë këtë vendim, e që këta më pas u pajtuan që i njëjti të mos hyjë në fuqi deri më 1 shtator.
Deri në atë kohë, mbi 1 mijë dokumente u lëshuan për serbët që kishin pasaporta e letërnjoftime të Serbisë.