Të shtëna me armë zjarri në hyrje të qytetit të Lezhës. Ekzekutohet me kallash Entjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardjan Nikulajt.
Gazetarja e Top Channel, Brixhilda Deda raporton se ngjarja ka ndodhur përballë Ujësjellësit të Lezhës, në vendin e quajtur “Ura e Trenit”. Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta, në drejtim të automjetit që drejtohej nga 40 vjeçari Nikulaj.
Policia e Shtetit njofton se Nikulaj ka mbetur fillimisht i plagosur dhe është transportuar në gjendje shumë të rëndë, në spitalin e Lezhës, për ndihmë mjekësore, por nuk ka mundur të mbijetoi. Për këtë ngjarje është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor, si dhe janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore. Ndërkohë, po kryet gjithashtu kontrolli intensiv i zonës.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se një makinë e djegur është gjetur pranë aeroportit të Rinasit disa minuta pas vrasjes së Nikulajt në dalje të qytetit të Lezhës.
Nuk dihen ende motivet e vrasjes. Vlen të theksohet se, xhaxhai i Entjan Nikulajt, biznesmeni Ardian Nikulaj u ekzekutua më 19 prill të këtij viti brenda lokalit të tij në Shëngjin. Ai u qëllua nga portugezi Ruben Saraiva, i cili ka pasur rolin e ekzekutorit. Edmond Haxhia ishte porositësi dhe organizatori i atentatit.
Ekzekutimi i biznesmenit u pasua nga të tjera trazira në Lezhë, një vrasje që dyshohej se kishte si motiv hakmarrjen për vrasjen e Ardian Nikulajt; eliminimi i Nikolin Marku Lekstakës. 42-vjeçari, baba i tre fëmijëve, u vra nga persona të paidentifikuar teksa po dilte nga një market në Balldre me një pije freskuese në dorë në korrik të këtij viti. Banorët kanë dëgjuar xhirime të forta të gomave të një automjeti në momentin që ndodhi ngjarja, ndërsa mësohet se automjeti ishte i errët me xhama të zinj.