Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar pas vrasjes së Liridona Ademajt.
Osmani përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se krimi monstruoz duhet të marrë dënimin e merituar.
“Femicidi është dëshmi rrënqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive.” – ka shkruar tutje ajo.
Osmani ka thënë se ky krim kërkon veprim të shpejtë dhe autorët duhet të marrin dënimin.
“Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme.” – ka thënë presidentja e vendit.