Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë folur qartë lidhur me sigurinë në veri të vendit.
Pas paralajmërimit të James O’Brien, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike për Kosovën dhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka rikujtuar se NATO është aleanca ushtarake më e suksesshme në historinë e njerëzimit. Çka tha ShBA?
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, për Pressing te T7, ka folur për sigurinë e Kosovës.
Hovenier ka komentuar deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili në Beograd foli për dislokimin e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.
Ai tha se fle shumë rehat natën, pasiqë në veri gjenden trupat ushtarake të NATO-s dhe ato amerikane.
“Ne besojmë se NATO është aleanca ushtarake më e suksesshme në historinë e njerëzimit. Kjo është një deklaratë shumë, shumë e fortë, por unë qëndroj prapa saj. Dhe fakti që keni një mision të NATO-s në Kosovë, me përgjegjësi për të ofruar mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes është tregues, përkushtim shumë, shumë i fuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare i përkushtimit tonë ndaj sigurisë së Kosovës. Fakti që keni disa qindra ushtarë amerikanë si pjesë e këtij misioni në role drejtuese që e mbështesin këtë është tjetër pasqyrim se sa seriozisht e marrin Shtetet e Bashkuara këtë. Pra, unë ende fle mjaft rehat natën duke e ditur që NATO është atje, duke e ditur se ka ushtarë amerikanë në NATO dhe duke e ditur se ata janë të aftë të përballojnë çfarëdo kërcënimi ndaj sigurisë që mund të shfaqet”, tha Hovenier.
Përballja me NATO-n
James O’Brien, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, ka paralajmëruar të hënën Kosovën dhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n.
“Është e rëndësishme që të dyja palët ta kuptojnë se, nëse ndodh ndonjë trazirë në veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n”, tha O’Brien për gazetarë, përcjell Radio Evropa e Lirë.
Njoftimi i NATO-s
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në vizitën e tij në Kosovë, njoftoi se janë duke bërë një rishikim të rritjes së pranisë së përhershme ushtarake të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.
Stoltenberg ka thënë se prania e trupave të KFOR-it është rritur pas sulmit në Bansjkë dhe se janë duke rishikuar që të këtë një rritje të përhershme të trupave të NATO-s në Kosovë.
Ai ka shtuar se një gjë e tillë do të pengonte konflikte të reja në Kosovë apo në rajon.
“Sapo arrita nga Sarajeva, ku kisha një takim të rëndësishëm dje dhe sot dhe tani jemi duke bërë një rishikim rreth pranisë tonë ushtarake në Ballkanin Perëndimor, që përfshin edhe Bosnje e Hercegovinën por edhe Kosovën. Kemi përdorur forcat tona rezervë për ta rritur praninë tonë menjëherë pas dhunës në shtator dhe tani po e rishikojmë nëse duhet të kemi një rritje të përhershme për t’u siguruar se kjo situatë nuk del jashtë kontrollit dhe nuk krijon konflikte të tjera të dhunshme në Kosovë ose më gjerë. Pra, do të bëjmë ata që është e nevojshme, aktualisht jemi duke rishikuar praninë tonë dhe ndryshimet e nevojshme dhe i kemi zbatuar rritjen e nevojshme të NATO-s”, deklaroi shefi i NATO-s.