Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se vlerësimi i Komisionit Evropian për Kosovën është më i dobëti që një qeveri e ka marrë ndonjëherë.
“Ky është raporti më i ashpri, me fjalët më të rrepta që është marrë”, nis Tahiri fjalën e tij në kuvend.
Një problem ai ka thënë se janë angazhimet e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi i cili në supe bartë edhe procesin e integrimit.
“Propozojmë që Bislimi ta dorëzojë agjendën e integrimeve te një ministër, sepse ai nuk ka kohë, duke u marrë me detyrën kryesore, dialogun me Serbinë”.
Tahiri ka vazhduar të shpalosë detaje nga raporti i Komisionit Evropian për këtë vit.
“Në raport theksohet 32 herë mungesa e progresit. 49 herë theksohet se ka progres të mangët, 59 herë që ka njëfarë progresi, 42 herë që është bërë progres dhe 15 herë aspekte të tjera, ndërkaq vetëm 8 herë theksohet se ka progres të mirë”, thotë Tahiri.
“Ky vlerësim ka dhënë një diagnozë për qeverinë në raport me integrimet. Është regres, dështim dhe paaftësi për të qeverisur”, ka vazhduar ai duke shpalosur edhe vërejtje sa i përket zhvillimit ekonomik.