Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, ka njoftuar se me ftesë të Prof. Edward Joseph ka mbajtur një ligjeratë në Universitetin John Hopkins në Uashington lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Hoti ka thënë se “Kosova dialogon para se gjithash me aleatët për hapat që duhet ndërmarrë në këtë proces për tu siguruar se Kosova lëviz përpara në integrimet euro-atlantike, në forcimin e demokracisë, në zhvillim ekonomik që parandalon emigrimin dhe rrit standardin e jetës”.
“Progresi i Kosovës në të gjitha këto aspekte nuk duhet të varet nga vullneti i fqinjit verior, por nga veprimet tona për të ndërmarrë veprime vizionare për të ardhmen euro-atlantike të Republikës së Kosovës.”
Ai ka thënë se në përmbyllje ka theksuar disa gjëra.
“(1) nuk duhet të lejojmë që Kosova të shndërrohet në çështje të sigurisë rajonale; (2) Kosova është storie suksesi në ndërtimin e shtetit demokratik dhe gjithëpërfshirës; (3) Kosova duhet sa më parë të futet në Programin për Paqe të NATO-s, si hap i parë formal drejt anëtarësimit në NATO; (4) Kosovës duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe t’i ndahen detyrat e t’i caktohen afatet kohore për integrim në BE.”
Sipas tij, “vetëm kështu sigurohet paqe e stabilitet afatgjatë në këtë pjesë të Evropës”.