Një miliard e 200 milionë euro është vlera e dërgesave nga mërgata deri në muajin tetor 2023, gjë që paraqet rritje prej 10.9 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Kështu thuhet në statistikat e remitancave dhe institucioneve tjera financiare për muajin tetor 2023, të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera e tyre, sipas vlerësimeve, muaj ishin 110.5 milionë euro.
Sipas raportit, prurjet më të mëdha e këtyre dërgesave ishin nga institucionet financiare jo-bankare me pjesëmarrje prej 60.4%, pasuar nga kanalet tjera me 24.2% dhe bankat me 15.4%.
Për sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, deri në muajin shtator vlera e tyre ishte 300.4 milionë euro. Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.60 miliardë eurove.
Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve tjerë financiar në fund të muajit tetor 2023 janë rritur për 17.6 milionë euro, krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën e 496.5 milionë eurove.