Udhëtimi pa viza nga 1 janari, kaq para duhet të keni me vete kur udhëtoni në zonën Shengen

Faqja qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës, ka ndarë disa informata të rëndësishme për shumën e parave që duhet të kenë me vete qytetarët e Kosovës që do ia mësyjnë zonës Shengen pas një janarit të vitit të ardhshëm.

Sipas kësaj faqe, me të arritur në pikën e parë kufitare të Shengenit, nga policia kufitare juve mund tju kërkohet nëse keni dëshmi të mjaftueshme financiare për udhëtimin tuaj. Sasia e këtyre mjeteve varet nga dy grupe faktorësh: 1) nga numri i ditëve që do të qëndroni dhe shteti të cilin e vizitoni dhe 2) nga ajo nëse do të qëndroni në akomodim me pagesë si hotel/apartment apo tek të afërmit tuaj.

Nëse deklaroni se do të qëndroni tek të afërmit tuaj duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve është rreth 30 – 50 EUR në ditë për person. Nëse deklaroni se do të qëndroni në një hotel apo apartment apo çfardo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve që duhet të ofroni si dëshmi financiare është rreth 50 – 100 EUR në ditë për person.

Akomodimi nga miqtë apo familjarët mund të verifikohet duke kontaktuar drejtpërdrejtë mikëpritësin me telefon ose duke verifikuar adresën e tyre përmes policisë. Derisa, verifikimi i mjeteve të mjaftueshme financiare mund të bëhet në disa forma duke ju kërkuar të tregoni para të gatshme (cash), kartelë bankare, kartë krediti, letër konfirmimi nga një konferencë apo seminar që mbulon shpenzimet tuaja për akomodim e ushqim, dëshmi për pagesën e hotelit apo çfardo konfirmimi a dëshmie tjetër për kostot tuaja gjatë udhëtimit.

Çdo shtet i Shengenit përcakton shumën; ju lutemi konsultoni faqen e internetit të shteteve anëtare të zonës Shengen të cilat planifikoni ti vizitoni. Pra, shuma ditore dallon nëse vizitoni Greqinë, Kroacinë apo nëse vizitoni Zvicrën apo Norvegjinë.

Një tabelë me shumat referente mund ta shihni në këtë link.