Ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla, është bërë temë sërish. Kësaj radhe nuk ia ka huqur ndonjë flamuri të ndonjë shteti mik e as nuk e ka “varrosur” Asociacionin. Ajo sot kompenzimin mujor prej 7 mijë e 500 euro të ekspertit të jashtëm Gani Jakupit e ka quajtur “shumë modeste”.
Kjo ka nxitur reagime të shumta në vend. Sipas zyrtarëve të opozitës, gazetarëve dhe njohësve të rrethanave politike në vend deklarimi i shefes se diplomacisë tregon arrogancën qeveritare.
Ish-ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti, ka thënë se për ministren e skandaleve të mëdha, paga e Jakupit ndoshta është skandal modest.
Sipas tij, Gërvalla e ka dëmtuar imazhin e Kosovës prej ditës së parë.
“Për Ministren e skandaleve të mëdha, e mega skandaleve, ky ndoshta është skandal modest. Imazhin e Kosovës e ka dëmtuar Ministresha Gërvalla – Schwarz prej ditës së parë. Buxhetin e shtetit me 90 mijë euro në vit kësaj here. Qeveri e ndryshimit. Qeveri e skandaleve!” – shkroi ai.
Edhe politologu Avdi Smajlja është çuditur nga përgjigja e Gërvallës.
Ajo ka thënë se kjo është arrogancë ndaj qytetarëve.
“7500 Euro pagë modeste për dostin?! Kjo është qasje arrogante ndaj qytetarëve. Po të mos ishte arroganca e qeverive para juve, ju do të vazhdonit punën tuaj si përkthyese, nuk do të bëheshit ministre. Ashtu siç u ndëshkua arroganca e qeverive para juve që megjithatë bënë disa punë të mëdha për vendin, arroganca juaj që keni bërë hiq gjë do të ndëshkohet më shpejtë e më shumë.” – ka shkruar Smajljaj në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe për gazetarin Lirim Mehmetaj përgjigjja e Gërvallës flet për arrogancë.
“Aspak befasuese përgjigja arrogante e ministres se rroga prej 7 mijë e 500 eurove në muaj është modeste për palo artistin jugosllav. Madje këto tone arrogante në shpjegim janë veç fillimi. Kur i nënshtron mësimdhënësit, minatorët, policët e grupe të tjera të organizuara dhe nuk ka asnjë pasojë, po vetëm përkrahje nga një pjesë e qytetarëve, atëherë kjo gjuhë veçse do të shtohet. Kur ta gjejmë veten “papritmas” duke jetuar në një shtet arbitrar me një grup të super privilegjuar dhe shumicën dërrmuese në përpëlitje të vajtueshme, do të jetë bërë shumë vonë”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Vlerësimi i shefes së diplomacisë ka nxitur zyrtarin e LDK-së, Berat Rukiqi, ta pyetur inteligjencën artificiale se çfarë është një pagë modeste.
“E pyeta Chat GPT, çka eshte Paga modeste? Ja si u pergjigj: ‘Paga modeste’ është një shprehje e përdorur për të përshkruar një pagë relativisht të ulët ose të konsiderohet e pakënaqshme në krahasim me standardet e përgjithshme të pagave. Kur e analizova kete pergjigje dhe arsyetimet e Ministres, gati e fillova nje GoFundMe, per Ganiun.”, ka shkruar ai.
Çka tha Gërvalla?
Gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, kryediplomatja Donik Gërvalla ka mbrojtur kontratën me ekspertin e jashtëm. Ajo ka thënë se shuma me të cilën ai paguhet është modeste.
“Lehtë është ta angazhosh një kompani që kushton 4 milionë, por vështirë është të gjesh personalitete të rëndësishme kulturore dhe publike të vendeve të ndryshme të cilët me një shumë modeste, e cila pothuajse nuk i tejkalon shpenzimet që Republika e Kosovës i ka për një diplomat në vendin pritës”, ka thënë ajo.
Kryediplomatja është shprehur krenare me punën e Jakupit.
Sipas saj, krahasuar me kontratat e mëhershme lobuesi, shumë me të cilën paguhen Jakupi është modeste.
“Prandaj, unë jam shumë krenare, shumë jam krenare, që me këtë shumë modeste, e cila nuk është pagë mujore, e cila është shumë që përfshinë shpenzimet e një projekti të terë njëvjeçar. Është një shumë shumë modeste krahasuar me të gjithë dokumentacionin që unë kam parë në Afrikë dhe shtetet tjera. I kam parë me kujdes, sepse është puna ime, tjetër që janë kontrata konfideciale të se kaluarës të cila nuk i ka deklasifikuar institucioni përkatës. Përndryshe me shumë kënaqësi vi këtu dhe iu tregoj për kontrata e lobimit në të kaluarën”, ka thënë gërvalla.
Ajo ka thënë se në vend që të hidhet balt mbi personalitetin e Gani Jakupti, ai duhet të falënderohet për punën që është duke e bërë.
Kryediplomatja ka mohuar se Jakupi është këshilltar i saj.
“Në vend që të hidhet balt mbi ta, do të duhej ky vend t`i falenderonte dhe t`i motivonte edhe të tjerët që të angazhohen. Ky është një instrument legjitim i bazuar në ligj, i bazua në bazuar në buxhet dhe i planifikuar me kohë. Prandaj, nuk ka asnjë dilemë, nuk ka asnjë mister rreth kontratës që është lidhur përmes misionin tonë. Ai nuk është këshilltar i imi, ai ka një kontratë në bazë të secilës ai angazhohet”, është shprehur ajo.