Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi për ngacmim të gazetares Edita Doli për një periudhë katër vjeçare.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, thuhet se i dyshuari e ka ngacmuar gazetaren përmes përcjelljes dhe thirrjeve telefonike vazhdimisht nga viti 2019 deri më 30 tetor 2023.
“Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.XH., për shkak të veprës penale “ngacmimi”.
Sipas aktakuzës, nga viti 2019 e deri më 30 tetor 2023, i pandehuri i lartcekur përmes përcjelljes dhe thirrjeve të vazhdueshme telefonike, në vazhdimësi, përfshihet në sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme, duke komunikuar me qëllim të ngacmimit dhe frikësimit, si dhe duke e vënë të dëmtuarën-gazetaren E.D. nën vëzhgim”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.
Ai dyshohet se ka shkuar edhe në vendin e punës së gazetares duke i shkaktuar ajo frikë dhe shqetësim të madh emocional.
Kësisoj, prokuroria ka kërkuar nga gjykata që ta shpallë fajtor të pandehurin.
“I pandehuri i ka shkruar të dëmtuarës në rrjetin social “facebook”, gjatë kohës së transmetimit të edicionit special të ditëlindjes së “RTVD” dhe është inkuadruar live në emision përmes telefonit, e po ashtu i pandehuri ka shkuar në vendin e punës së të dëmtuarës, ku me këto veprime e ka vënë nën frikë të arsyeshme dhe i ka shkaktuar shqetësim të madh emocional. Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.