Gaxherri: Po kthehemi fuqishëm, Kosova ka shumë nevojë për qeverisjen e LDK-së

Anëtarja e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri tha se numri i madh i pjesëmarrësve në Konventën e LDK-së të dielën iu ka dhënë shpresë se po kthehen në rrugë të mbarë.

Gaxherri thotë se me ardhjen e Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së, partia më e vjetër në vend “është kthyer dhe po kthehet çdo ditë”.

Ajo tha se Kosova “ka shumë nevojë për qeverisjen e LDK-së”.

“LDK-ja po kthehet pas një rezultati më të dobëtin në historinë e saj që e kishte në zgjedhjet e kaluara nacionale. Pas marrjes së drejtimit të LDK-së nga Abdixhiku për 2 vite e gjysmë, është kthyer dhe po kthehet çdo ditë. Vetë Kuvendi i dhjetë i cili u mbajt të dielën e kaluar, ne vërtetë kemi shpresuar se kemi bërë punë dhe jemi në rrugë të mbarë, por ai Kuvend, pjesëmarrja, entuziazmi i njerëzve që ishin aty atë ditë, na dha shpresë ose na shpërbleu për punën të cilën e kemi bërë, dhe na dha me kuptu se jemi bashkë dhe po kthehemi në rrugë të mbarë. Po kthehemi për Kosovën, e cila ka shumë nevojë për qeverisjen e LDK-së”, deklaroi Gaxherri mbrëmë në Tëvë 1.