Fjalori i gjuhës shqipe do të pasurohet me 70 mijë fjalë të reja

Fjalori i gjuhës shqipe do të pasurohet me 70 mijë fjalë të reja.

Aty do të ketë fjalë që nuk ishin të përfshira në fjalorin e botuar në vitin 1980.

Për hartimin e këtij fjalori janë përfshirë akademikë, gjuhëtarë të njohur nga të gjitha vendet shqipfolëse, përfshirë edhe universitetet e Shqipërisë dhe atë të Prishtinës, raporton Euronews.al.

Ali Jashari, profesor doktor në universitetin e Korçës, pjesë e grupit të punës së fjalorit të madh të gjuhës shqipe, ka bërë me dije se ky fjalor do të vijë në ndihmë akademikëve, pedagogëve, përkthyesve, studentëve, gazetarëve dhe gjithë atyre që do të përdorin gjuhën shqipe.

“Vet fjalori është pasuri dhe fjalori me këtë numër fjalësh, kuptimesh e të tjera është një vegël e mjet që do u shërbejë të gjithëve për pasurimin e gjuhës. Përdoruesit e këtij fjalori janë të shumtë, duke filluar me shkencëtarë që merren me hartimin e fjalorëve, leksikografët, përkthyesit, pedagogët, studentët, shkollarët, ata që merren me gjuhën shqipe në shkolla, ata që hartojnë tekste shkollore, gazetarët e të gjithë llojeve mediave të shkruara dhe elektronike që do të kenë në dorë një mjet të fuqishëm për të pasuruar gjuhën shqipe dhe për ta mbajtur ashtu siç është, e bukur e fuqishme, që u përgjigjet gjithë nevojave”, tha Jashari.

Sipas profesorit, ka qenë e domosdoshme të realizohet kjo, për shkak të zbrazëtisë 43 vjeçare.

“Fjalori i tipit të madh ishte një domosdoshmëri pas një tradite shumë të gjatë leksikogrike që në historinë e leksikografisë datohet nga fjalori i Frank Bardhit në 1635 deri në fjalori i 1980. Ky zbrazëti që mund të duket nga 1980 deri në 2023, jo se nuk janë botuar fjalore por janë botuar, pasuruar me fjalë të reja, janë bërë shumë botime që shërbyen si bazë për hartimin e këtij fjalori të madh”, theksoi Jashari.

Profesori tha se fjalori ka 110 mijë fjalë pa llogaritur kuptimet, ka rreth 11 mijë e 500 njësi frazologjike dhe shumë njësi të tjera të ligjërimit.

Ai këto i tha gjatë një takimi që ka pasur në auditorët e universitetin “Fan Noli” të Korçës në ditët kushtuar Kongresit të Drejtshkrimit.